Kukësi pret Karabakun, trajneri Cungu beson te skuadra
Pasi eliminoi maltezët e Valetës në Ligën e Kampioneve, për Kukësin tani elita e futbollit kontinental ofron një kundërshtar më të vështirë, siç është skuadra azere e Karabakut.
“Duhet të jemi të kujdesshëm, pasi kemi përballë një ekip me kualitet. E dimë edhe historinë që ka qenë pjesëmarrëse në grupet e Ligës së Kampionëve. Kam besim tek djemtë, te serioziteti dhe shpirti i garës. Nëse nuk ka shpirti gare, nuk ka vlerë kualiteti”, deklaroi trajneri i Kukësit, Armando Cungu.
Përballë një rivali të vështirë si Karabaku, Kukësi pritet të ndërojë një formacion që do të bazohet te kundërsulmi dhe jo loja e hapur.
Trajneri Armando Cungu, që u emërua në pankinë pas largimit të Peter Pakult, tregoi vlerat e tij në transfertën ndaj Valetës, por tani do të ketë detyrën të ndalë vrullin e azerëve.
Frashëri pritet të luajë në portë nga minuta e parë, ndërsa në mbrojtje do të rreshtohen plot 5 futbollistë. Pesha e sulmit me të gjitha gjasat do të bjerë mbi Sebino Plakun./top-channel/