12-12-2024

LONDON NEWS: Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878, sipas një gazetari anglez

Nga Flamur MAXHARRI

Në suplimentin e revistës javore Londinese “Illustrated London News” kushtuar Lidhjës Shqiptare të Prizrenit, gazetari anglez përshkruan në hollësi mbledhjën e cila u organizua për t’iu kundervu vendimeve të Kongresi të Berlinit dhe Portës së Lartë. Për herë të parë mësohet për pranin dhe të disa anglezëve në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, të mbajtur në vitin 1878.

Brenda një një xhamie të vogël në një lagje të errët të qytetit, mes dritave të natës e të mëngjesit, me llamba me vaj që digjen zbehtë dhe hedhin masa të errëta e të pasigurta drite mbi një mbledhje të fshehtë të Lidhjes Shqiptare. Debati ka qenë i gjatë sepse tashmë, pas dritareve pa xhama të shtëpisë së lutjes, zbardhëllon në qiellin e errët një brez i zbehtë që paralajmëron ditën e re dhe e detyron myslimanin e çuditshëm plak, i cili qëndron me krahët e hapura para anëtarëve të Lidhjes, ta përfundojë fjalën e ta mbyllë Kuvendin, shkruan FMimages.org

Por çështje të rënda ishin shtruar mbi qilimin e xhamisë së vogël dhe, nga mesnata deri në agim, kryetar pas kryetari u ngritën nga rrethi i heshtur për të marrë fjalën e për t’u shprehur me forcën e plotë të gojëtarisë për çështjen. është vërtet një “kuvend” i plotë dhe një mbledhje më piktoreske se ky këshill i shqiptarëve zor se mund të përshkruhej – ora e mbledhjes dhe vendi i mbledhjes – një kuvend që e lartëson veçantinë e skenës.

Me një vështrim mund ta thuash, sapo sheh radhët e këtyre Scipetaar të ulur këmbëkryq, se ka një shumicë të dukshme myslimanësh në Lidhje, për shkak të fustanellave në kuvend. Sepse të krishterët nuk veshin fustanella të bardha lini në Shqipëri, as jelekë me qëndisma aq të bollshme me të kuq e ngjyrë ari, aq madhështorë me brezat e mëndafshtë me ngjyra, ku shkëlqejnë dorezat e lara në argjend të shpatave e pisqollave, ku qëndrojnë plot hijeshi edhe kutitë e fishekëve prej ari ose të zbukuruara me punët e filigranës gjakovare, siç i mbajnë pasuesit e Profetit.

Në fakt, me përjashtim të disa malësorëve arnautë të veshur me rroba të bardha leshi, të ulur në mënyrë karakteristike këmbëkryq pranë shtyllave të drunjta që mbajnë sallën dhe nja dy të huajve Inglis që janë lejuar pas shumë vështirësish, mes pjesëmarrësve nuk ka të tjerë veç disa besnikëve të pranishëm (sepse diskutimet e Lidhjes, siç i ka hije një shoqërie të fshehtë, mbahen me dyer të mbyllura e të ruajtura).

Këta besnikë marrin pjesë sepse tema e diskutimit është e një rëndësie tepër të lartë për ta dhe i bën thirrje në mënyrë të drejtpërdrejtë patriotizmit dhe fesë së tyre. Megjithatë, duke gjykuar nga atmosfera e zymtë dhe gati apatike që mbështjellë rrethin e delegatëve – sepse po merrnim pjesë në një asamble përfaqësuesish, kuptohet – duke dëgjuar folësin mbi qilimin e xhamisë përfytyron më tepër një kryetar të vjetër “në këmbë” që po i mërzit dëgjuesit me gjëra të rëndomta e të shpëlara për temën më të zakonshme e jo për t’ua mbushur venat me zjarr, siç po bën, me pamjen plot gjallëri të të këqijave kombëtare. Mirëpo shqiptarit nuk i shfaqen kurrë në fytyrë mendimet. Nga jashtë mund të duket i qetë dhe i patrazuar, por nga brenda është përfshirë nga stuhia. Ata dijn ta ruajë mirë në mendje radhën e tyre dhe rrallë i lejon tiparet e stërvitura ta tradhëtojnë për pasionet që ka në zemër.

Kjo mund të jetë një shkollë e pakëshillueshem për gojëtarinë – të paktën sipas nocioneve tona – dhe një punë e vështirë për gojëtarin që të lërë mbresa para një grumbullimi po aq të qetë e të përmbajtur, që të sqarojë pikë pas pike a përsëritur herë pas herë ndonjë “Dëgjoni, dëgjoni!” apo të fluturojë në majat më të larta të gjepurave të gojëtarisë pa “brohoritjet e forta e të gjata”, aq të zakonshme në senatet perëndimore. Por kryetari i moshuar e njeh fort mirë lëndën mbi të cilën i duhet të punojë dhe i dërgon fjalët e tij drejt e në thellësi, nën lëkurat e ashpra të dëgjuesve. Po flet për temën më të parapëlqyer për Lidhjen – për keqqeverisjen e vendit të tyre, për aneksimin e territoreve shqiptare në Guci nga armiqtë e tyre të vjetër, malazezët, dhe për ngritjen e njerëzve, me nxitjen e Lidhjes, në qytetet e Pejës, Gjakovës dhe Prizrenit për t’i bërë ballë pushtimit të sllavëve.

Kryetari i moshuar e i tharë ka një pamje të çuditshme e të panatyrshme në mënyrën si qëndron para nesh nën atë dritë të pakët, i veshur me të kuqe dhe me gëzof dhelpre, me krahët e shtrirë dhe gishtat eshtakë nervozë, të cilët i mbledh herë pas here në ajër sikur po kërkon të kapë fytin e ndonjë malazezi. Megjithëse nga zëri duket pa pikën e pasionit, fjalët i ka të mbushura me furi dhe entuziazëm. Rrallë e ngre zërin përtej monotonisë, por ama ka një mënyrë të mprehtë dhe të prerë në fjalitë që ua hedh dëgjuesve.

“Vini re – prisni”, thotë, “çfarë duam ne me zotërit tanë në tokën tonë të Arbrit? Mos vallë jemi fëmijë që nuk dimë të ecim vetë? Çfarë ka bërë sulltani për ne? A po na i mbron jetët? Jo. Po u jep shtëpi të pastrehëve? Jo. Po i ushqen ata që vuajnë urie? Jo. Ku shkon haraçi që paguajmë – ne, që kemi aq pak pare që ta paguajmë? Vini re. Jua them unë. Në qesen e pashait! Hajr! Duhet ta mbyllim gojën e të hamë dhé?”

Hamendësimi i kryetarit se pashai e ka përvetësuar haraçin, apo paratë e taksave, që i paguajnë shqiptarët Portës, bën efekt mbi dëgjuesit dhe duket se i jep atij shtysë për një përpjekje më të fortë kundër këtyre “fuqive”.

“Valla”, vazhdoi ai, “shikojini pak tokat tona në Guci. Cila është dëshira e zotërve tanë? Që t’ua lëmë sllavëve të Malit të Zi? Përse? Sepse kështu dashka sulltani. Sepse dashka Kongresi i Berlinit. Sepse dashkan rusët. Ai Valla! – mirë! Po a duam ne – ne, njerëzit e këtij dheu – që toka jonë të shkojë në duart e këtyre qenve të shejtanit? Mund të na kujtojnë budallenj, sepse nuk na kanë pyetur. Bismilah! Le të flasim atëherë – por me hekur e plumb, me jatagan e pushkë!” Këto fjalë thonë shumë për karakterin e debatit në këtë mbledhje të fshehtë të Lidhjes Shqiptare dhe më shumë akoma për parimet që e kanë lidhur bashkë këtë Lidhje. Nuk ka asnjë dyshim se ajo ka ndikim të madh në këtë vend duke parë se kryengritja aktuale në kufirin malazez është rezultat i ndikimit të saj./FMimages.org

Asnjë koment

Comments are closed.