25-04-2024

Lufta në Krushë të Vogël, rrëfimet e dëshmitarëve për masakrën nga serbët

Dëshminë e Kasum Hajdarit dhe shumë të tjerëve, Prokuroria i ka marrë parasysh në aktakuzën e saj kundër serbit të dyshuar për krime lufte, Darko Tasiq i cili nesër pritet të dalë para gjykatës.

Në dëshminë e Kasum Hajdarit nga Krusha e Vogël, tregohet në detaje gjithë momenti kur Darko Tasiq bashkë me familjen e tij, i kishin djegur trupat e pajetë të shqiptarëve.

“Kamioni u vozit në lumë por ngeci në një vend ku pjesa e jashtme mbeti mbi ujë. Tasiq u largua dhe u kthye pas pak po përsëri ngeci, nuk mund të shkonte më tutje. Në një moment dëshmitari u afrua më pranë lumit për të pasur pamje më të mirë. Pastaj ai vërjeti këta persona të shpërndajne një lëndë brenda mbulesës së kamionit, dhe pesë minuta më vonë nga kamioni doli flakë. Dëshmitari deklaroi se pas kthimit në fshat pas luftës në shtëpinë e të akuzuarit gjenë pasuri të familjes së tij. Gjithashtu ai gjeti furgonin që ishte në përcjellje të kamionit. Shkoi në Drin dhe ndihmoi për ta tërhequr kamionin nga uji. Pas tërheqjes vërjeti kocka dhe rroba të djegura”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi.
Edhe Kadri Muharremi ishte prezentë marsin e vitit 1999, kur familja e Tasiq po plaçkiste nëpër Krushë të Vogël.

Ai në deklaratën e tij tregon për britmat që i kishte dëgjuar në momentin kur po digjej kamioni me trupat e shqiptarëve brenda.

“Dëshmitari ishte 300 metra larg lumit kur e pa për herë të parë kamionin, por u afrua më pranë. Darko Tasiq po e ngiste kamionin për në lumë, por kamioni ngeci. Ata u panë duke hedhur një lloj lënde në kamion dhe po dilte tym. Dëshmitari dëgjoi britma që vinin nga kamioni. Ai i pa njerëzit të shtinin me armnet e tyre. Dëshmitari deklaroi se kamioni u dogj për dy a tre ditë, dhe ai më pas pa trupa në kamion”, shkruhet në aktakuzë.

Në një shkollë me të dyshuarin për krime lufte tashmë, kishte qenë Driton Limani.

Në dëshminë e tij dhënë Prokurorisë ai ka treguar se pas kthimit nga Shqipëria, në vendin ku kishte mbetur kamioni, ai gjente këpucë dhe eshtra.

“Dëshmitari e njihte familjen e Tasiq, përfshirë të akuzuarin Darko Tasiq. Dëshmitari deklaroi se Darko Tasiq ishte një serbë vendas dhe ishte polic rezervë, dhe e kishte parë në uniform shumë herë para datës 25 mars 1999. Pas kthimit nga Shqipëria dëshmitarei dëgjoi se kanë qenë bijtë e Kekës (babit të Darko Tasiq) ata që e kanë shtyrë kamionin në lumë”, ka treguar dëshmitarki.

Nga Prokuroria janë intervistuar edhe dhjetëra dëshmitarë tjerë, të cilët kanë konfirmuar se Darko Tasiq ka qenë pjesëmarrës në vrasjen dhe masakrimin e shqiptarëve në Krushë të Vogël.

Një gjë të tillë e kanë thënë Drita Batusha, Dervish Hajdari, Mark Prekpalaj, Tomë Prekpalaj, Shaban Avdyli, Gani Zylfiu, Milazim Duraku, Ali Emrullahu, që të gjithë dëshmitarë të kësaj ngjarje.

Darko Tasiq u thirr për intervistë nga prokuroria më 13 dhjetor të vitit 2017.

Por ai kishte zgjedhue që të heshtë, duke mos pranuar të flas para prokurorit.

Asnjë koment

Comments are closed.