20-04-2024

Mbi 50 seanca janë shtyrë në Gjykatën e Prizrenit, shkaku i grevës

Gjithsej 52 seanca gjyqësore janë shtyrë të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, për shkak se punëtorët e administratës së Prokurorisë dhe Gjykatës së Prizrenit, kanë hyrë në grevë, me anë të së cilës kërkojnë rritje të pagave.

Në këtë gjykatë, është punuar vetëm në rastet e paraburgimeve dhe atyre urgjente nga lëmia civile, ndërsa të gjitha seancat e rregullta gjyqësore, të parapara për të mërkurën, janë shtyrë në mungesë të sekretareve juridike.

Në mesin e seancave që janë shtyrë, ka qenë edhe ajo ndaj ish-kryetarit të Dragashit, Salim Jenuzi, i cili akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Rreth kësaj çështje, udhëheqësi i grevistëve të Gjykatës Themelore të Prizrenit, Shpetim Kabashi, për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se greva është organizuar sepse ka dallim të madh në mes pagave të gjyqtarëve dhe stafit administrativ dhe profesional të gjykatës.

Kabashi ka potencuar që me këtë grevë në asnjë mënyrë nuk janë kundër rritjes së pagave të gjyqtarëve, por se vetëm kërkojnë që të mos diskriminohen, pasi që sipas tij, që mbi 30 vjet që punon, asnjëherë nuk ka qenë dallimi kaq i madh në mes pagës së gjyqtarëve dhe punëtorëve tjerë.

Ai ka thënë se në të kaluarën gjyqtarët kanë marrë pagë që barazohej me dy paga të punëtorëve tjerë, ndërsa me këtë ngritje të bërë nga Qeveria e Kosovës, paga e gjyqtarit është pesëfishuar në krahasim me shërbyesit civil dhe shtatëfishuar në krahasim me sekretaret juridike të gjyqtarëve.

Po ashtu, të mërkurën, në grevë kanë hyrë edhe punëtorët e administratës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të cilët  kërkojnë rritje të pagave dhe rregullimin e statusit të tyre me anë të një ligji të veçantë.

Afërdita Salihu, e cila kryesonte grevistët e kësaj prokurorie, për “Betimi për Drejtësi” ka deklaruar se greva po mbahet me arsye se kërkojnë rritje të pagës së tyre për 100% dhe se kërkojnë që statusi i tyre i punës të rregullohet me anë të një ligji të veçantë dhe të mos parashihet me ligjin për shërbyesit civil.

Salihu ka thënë se prokuroria në fjalë është duke u marrë vetëm me raste të paraburgimeve dhe me raste urgjente, ndërsa punëtorët nuk janë duke u marrë me punët e tyre të përditshme./betimiperdrejtesi/

Asnjë koment

Comments are closed.