05-05-2024

Mëngjesi i frikshëm i 28 janarit 1999 në Ramajë të Hasit

Shkruan: Qazim Morina

25 vjet më parë, sidomos pas betejës së 14 dhjetorit  1998 në malet e Pashtrikut, në të cilën ra heroikisht komandanti Mujë Krasniqi e luftëtari Qenë Qenaj me 40 ushtarë të UÇK-së, forcat serbe kishin shtuar patrullimet në fshatrat kufitare të Hasit.

Ndonëse natën nuk kishte lëvizje të tyre për shkak se gjatë kësaj kohe kryesisht lëviznin pjesëtarët e UÇK-së, ushtarët e policët serbë, zakonisht nisnin patrullimet me automjete në mëngjes.

Kështu ndodhi edhe me 28 janar 1999, kur ata ishin stacionuar tek varrezat, në kodrën e afërt mbi fshatin Romajë. Diku rreth orës 08:00 të mëngjesit, nga tanket e tyre filluan të shtënat dhe granatimet në drejtim të rrjedhës së lumit “Dështica”, që përshkon fshatin dhe maleve të Pashtrikut.

Kjo shkaktoi frikë dhe huti tek banorët e fshatit dhe të fshatrave përreth, sidomos tek fëmijët e gratë.

Ishte ditë e enjte. Fëmijët, të cilët ishin nisur për në shkollë, sikurse edhe banorët po shihnin qartë flakën që dilte nga armët e pushtuesve, që shkonte duke u egërsuar edhe më shumë, sidomos pas masakrës së Reçakut, këmbëngulësisë së UÇK-së dhe faktorizimit të elementit shqiptar në prag të Konferencës së Rambujesë.

Në qendër të Romajës, tek shkolla në këtë kohë nga Prizreni kishte arritur edhe autobusi i mëngjesit, duke sjellë nxënës të shkollës së mesme, mësues e udhëtarë. Ata me të zbritur, mbetën të tmerruar nga ajo që po shihnin. Filluan të strehohen në shtëpitë e afërta të fshatit.

Për shkak të pozitës së mirë, si në pëllëmbë të dorës, forcat serbe kishin parë në shtratin e lumit tek po gjuanin peshk dy persona, të cilët edhe i kishin maltretuar fizikisht.

Në fshat kishte huti e frikë. Si pasojë e situatës, banorët filluan të largohen. Një pjesë e fshatit u zbraz. Banorët shkuan në drejtim të Prizrenit ose qendrave të tjera, duke kërkuar vendbanime më të sigurta momentale.

Pasditen e 27 janarit, pasi ra terri, e deri në orët e hershme të mëngjesit, ka pasur lëvizje të shpeshta të çlirimtarëve të UÇK-së, nëpër fshatrat Kushnin e Kabash të Hasit, që vinin nga Shqipëria në Kosovë, përmes Pashtrikut.

Pavarësisht patrullimeve të shumta nga forcat e ushtrisë serbe, në fshatrat kufitare të Hasit, të stacionuara me armatim të rëndë tek ish-kooperativa në Demjan, djemtë e UÇK-së nuk trembeshin dhe vazhdonin para, të gatshëm për flijim.

Për të shkuar në zonat e luftës, kryesisht shfrytëzoheshin dy rrugë, ajo Kushnin-Marosh-Trravë -Rogovë, që kalonte nëpër terren të papërshtatshëm dhe rruga Kushnin-Dedaj-Ramajë-Rogovë, që ishte më lehtë e kalueshme, por shumë më e rrezikshme.

Gjatë natës dhe në mëngjes, sipas ushtarit të UÇK-së, Mehmet Morina nga Landovica, rreth orës 02 të mëngjesit (28 janar), ai së bashkë me një grup luftëtarësh, derisa po kalonin në rrugën nga Ramaja për ta kaluar lumin “Drin”, për të dalur në Krushë të Madhe, janë përballur me forcat serbe. Tek rruga pasi kanë kaluar varrezat e Romajës janë zhvilluar luftime të ashpra, në afërsi, dhe se ka pasur edhe të vrarë nga pala serbe.

Si duket nga kjo ngjarje forcat serbe ishin tërbuar, duke mos zgjedhur mënyrë për përhap frikë e terror edhe te banorët e pambrojtur. Rreth drekës ato u tërhoqën nga fshati, të shpërndara në drejtime të Rogovës e Prizrenit.

Një ditë më pas, mëngjesin e hershëm të 29 janarit, ndodhi masakra e tmerrshme në fshatin e afërt, Rogovë të Hasit, ku ranë në pritë luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa nga vrasjet nuk u kursyen as shumë civilë të fshatit. U masakruan 14  fshatarë.

Gjatë ditëve 27,28, dhe 29 janar kanë rënë 21  dëshmorët të UÇK-së mes tyre edhe Gaspër Karaqi.

Mund të jetë një imazh i 1 person

Lexo edhe:

Ngjarje që s’harrohen e të bëjnë krenar!

Asnjë koment

Comments are closed.