13-12-2024

Milot-Balldren, që lidh jugun e Kroacisë, Malin e Zi e Shqipërinë e para autostradë europiane e standardit A në Shqipëri

Tiranë, 3 qershor -“Rruga Milot-Balldren është projekt prioritar që lidh jugun e Kroacisë, Malin e Zi, Shqipërinë me unazën turistike të Mesdheut”, deklaroi dje kryeministri Edi Rama, i cili shtoi se “kjo rrugë do të jetë e para autostradë europiane e standardit A, me të gjithë parametra”.

Gjatë prezantimit të kandidatit për kryetar bashkie të Partisë Socialiste në Lezhë, Pjerin Ndreu, Rama tha se, “meqë erdhi mundësia po bëjmë dhe një vjedhje të madhe tek rruga Milot-Balldren. Sepse siç e keni dëgjuar nga ata, ne vjedhim kudo ku prekim. Dhe atë rrugë që ju të gjithë e njihni, jo si rruga Milot-Balldren, por si autostrada e vdekjes dhe ku kanë lënë jetën plotë e plotë njerëz dhe janë plagosur plotë e plotë të tjerë. Ne do ta rindërtojmë totalisht nga e para”.

“Rruga Milot-Balldren është pjesë e aksit të korridorit blu, Adriatiko-Jonian, është në atë shtrat. Është një aks strategjik për zhvillimin turistik, jo vetëm të Lezhës, por të gjithë Shqipërisë. Është projekt prioritar që lidh jugun e Kroacisë, Malin e Zi, Shqipërinë me unazën turistike të Mesdheut”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se “këtë segment ne do ta ndërtojmë vetë sepse koha nuk pret. Ndërkohë që në projektet e Procesit të Berlinit është prioritet dhe do të financohen edhe disa pjesë të tjera për t’u plotësuar”.

Rama theksoi se këtë projekt, “do ta ndërtojmë shpejt, në 30 muaj dhe do ta paguajmë për 13 vjet, falë partneritetit publik privat ose siç thonë ata, vjedhjes. Se ku është këtu vjedhja, ndërkohë që shteti, qeveria, ndërton një marrëveshje me një privat, i cili do ta financojë me kapital të vetin. Kapital që buxheti i shtetit nuk e ka, se po ta kishte nuk ishte nevoja. Dhe pastaj vit pas viti qeveria do ta shlyejë. Patjetër se nuk bëhet për bamirësi”.

Duke shpjeguar detajet e projekti kryeministri Rama tha se, “do të jetë e para autostradë europiane e standardit A, me të gjithë parametrat. Edhe rruga e Kombit vetëm një pjesë e ka standard A. Do ketë, jo vetëm 3 korsi në njërën anë dhe 3 në anën tjetër tjetrën, por edhe korsi të emergjencës edhe dy rrugë paralele nga 9 metra të gjera që në autostradë të shkojnë dhe të vijnë makinat. Jo të ecin edhe makinat, edhe bagëtitë, edhe njerëzit dhe nga ana tjetër do ketë edhe rrugët e shërbimit për të gjithë komunitetet që të lidhen në mënyrë normale dhe të mos detyrohen të kapërcejnë autostradën. Do ketë dy ura, njërën mbi Mat, tjetrën mbi Drin, dy vepra arti. Do të ketë 6 mbikalime dhe nënkalime. 2 tunele afërsisht një kilometër. Dhe më në fund ky xhepi këtu, që vjen Shqipëria dhe mblidhet këtu do shmanget dhe gjithë lidhja nga jugu në veri dhe nga veriu në jug nuk do kalojë nga xhepi këtu, por do vazhdojë normalisht. Ky është projekti”/ATSH.

Asnjë koment

Comments are closed.