05-12-2020

Ministri Bytyqi nga ish shkolla e tij i premton ndihmë Malishevës

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka qëndruar sot në Komunën e Malishevës, ku është pritur nga nënkryetari, Hajdin Berisha, drejtori i arsimit Blerim Thaçi dhe zyrtarë tjerë të qeverisë komunale. Bytyqi, ka marrë pjesë edhe në shënimin e ditës së shkollës, “Hasan Prishtina” në Tërpezë. Ministri ka premtuar se do ta përkrahë Malishevën në fushën e arsimit, si dhe ka premtuar se janë drejt zgjidhjes së shumë problemeve në arsim.

Bytyqi, fillimisht është njoftuar nga nënkryetari Berisha, me rrjedhat dhe zhvillimet e përgjithshme në Malishevë, me theks të veçantë në fushën e arsimit, i cili ka kërkuar mbështetje më të madhe nga ana e ministrisë. Po ashtu edhe drejtori i arsimit, Thaçi e ka njoftuar ministrin, me procesin e arsimit në këtë komunë dhe nevojat që ka Malisheva.

Ministri Bytyqi, pasi është njoftuar me zhvillimet e përgjithshme, e ka përgëzuar Komunën e Malishevës, për investimet dhe përkushtimin që ka në fushën e arsimit, ndërsa ka premtuar se përkrahja, për Malishevën dhe për komunat tjera, nuk do të mungoj, përderisa Komunën e Malishevës, e ka vlerësuar si komunë model për qeverisjen lokale.

Gjatë bisedës me udhëheqjen komunale, ministri Bytyqi, ka premtuar se krahas shumë ligjeve, përmes së cilave janë zgjidhur disa nga problemet që preokupojnë arsimin në Kosovën, tani janë duke u marrë edhe me zgjidhjen e problemit me mësimdhënës të cilët kanë probleme shëndetësore, me sëmundje të ndryshme malinje apo sëmundje tjera, të cilat ndikojnë në punën e tyre.

Gjithashtu, ministri dhe drejtori komunal kanë biseduar edhe për sistemin e arsimit para fillorë dhe organizmin dhe funksionimin e çerdhes publike. Sipas drejtorit Thaçi, nevoja për ndërtimin edhe të një çerdhe është shumë e madhe, pasi kërkesat janë të shumta, ndërsa sistemi i arsimit para fillorë, është i organizuar në të gjitha shkollat, edhe pse ka mungesë të mësimdhënësve adekuat.

Më pas, ministri Bytyqi dhe nënkryetari Berisha, kanë marrë pjesë në shënimin e ditës së shkollës në SHFMU “Hasan Prishtina” në Tërpezë, pjesë e së cilës ka qenë edhe ministri Bytyqi, si nxënës i kësaj shkolle.

Në këtë shënim festiv, ministri i arsimit, e ka përsëritur premtimin e tij se përkrahja për Malishevën, në fushën e arsimit nuk do të mungoj, ndërsa i ka uruar nxënësit dhe mësimdhënësit me rastin e shënimit të 70 vjetorit të hapjes së shkollës në Tërpezë, ndërsa ka ndarë edhe kujtimet e tij, me këtë vatër shkollore, prej ku kanë dalë shumë kuadro që kanë kontribuar për vendin. “Vendi ynë ka nevojë për energji të reja dhe dije, dhe ju nxënës, jeni ata që duhet ta shfrytëzoni këtë mundësi që keni sot, në mënyrë që nesër ti kontribuoni vendit, pasi këta mësues, e sidomos mësuesit veteran, kanë sakrifikuar dhe janë munduar për ne, që ne sot ti kontribuojmë  vendit dhe ne duhet ta vazhdojmë këtë”, tha mes tjerash ministri Bytyqi, në porosinë e tij, drejtuar nxënësve të kësaj shkolle.

Ata kanë uruar nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle me rastin e shënimit të 70 vjetorit të hapjes së saj.

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.