25-04-2024

Mjekëve kujdestarë u ndalohet dalja nga hapësirat e spitalit

Në Spitalin e Prizrenit, sikurse edhe në qendrat tjera shëndetësore të vendit ka filluar së zbatuari Qarkorja që përcakton orarin e punës dhe kohëzgjatjen e pushimit vjetor për punonjësit me rrezikshmëri në vendin e punës, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.

Qarkorja është dërguar në emër të Këshillit Drejtues nga drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, zbatimi i të cilës ka nisur nga 21 janari.

Në përgjigjen e Zyrës për informim të spitalit të përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” për portalin “GazetaePrizrenit.net”, thuhet se Qarkorja informuese përcakton orarin e punës dhe kohëzgjatjen e pushimit vjetor për punonjësit me rrezikshmëri në vendin e punës dhe i është dorëzuar të gjitha njësive përbërëse të SHSKUK-së.

Gazeta ka mësuar se pos tjerash në Qarkore kërkohet respektimi i orarit të punës, ndërsa përcaktohet se pushimi ditor është 30 minuta, dhe realizohet në intervalin kohor prej orës 09.00 deri në ora 09.30 dhe prej 09.30 deri në ora 10.00, për raste të veçanta në konsultim me shefin dhe kryeinfermierin e repartit.

“Të mbahet evidencë në fletore për pushimin ditor: për mjekë nga shefi i repartit, kurse për infermierë nga kryeinfermieri/ja. Puna e kujdestarisë për mjekë mbetet e njëjtë prej orës 08.00 deri në ora 08.00 të ditës së nesërme. Gjatë kujdestarisë dhe ndërrimeve nuk lejohet dalja nga hapësirat e spitalit”, thuhet ndër të tjera në Qarkore.

Me këtë rast kërkohet zbatimi me përpikëri i përcaktimit të orarit të punës dhe kohëzgjatja e pushimit vjetor sipas përcaktimit në qarkore, si dhe konkluzat e takimit, ndërsa për moszbatim, thuhet se do të merren masa disiplinore sipas akteve ligjore në fuqi. /GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.