26-11-2024

Momenti kur Asambleja Parlamentare e NATO-s miraton avancimin e statusit të Kosovës

Asambleja Parlamentare e NATO-s e ka miratuar të hënën rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar.

Shumica e vendeve kanë votuar për, një votë ka qenë kundër dhe 14 vende tjera kanë abstenuar, në takimin e Asamblesë, që po mbahet në Sofje të Bullgarisë.

Ky është momenti kur  Asambleja Parlamentare e NATO-s e e miratoi rekomandimin për avancim të statusit të Kosovës nga anëtare vëzhguese në anëtare të asocuar

Një ditë më parë, delegacioni i Parlamentit të Serbisë, ka kërkuar përmes një letre që Kosovës të mos i avancohet statusi.

Në njoftimin e Parlamentit serb është thënë se dhënia e një statusi i tillë do të jetë shpërblim për Prishtinën, e cila, sipas Beogradit, po bën gjithçka për të penguar dialogun mes dy vendeve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, dhe për të shmangur obligimet nga marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës – së voni edhe kundër anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës.

Pas kësaj arritje, ka reaguar kryesuesi i delegacionit, Driton Hyseni.

Hyseni u shpreh se ky hap vjen pas disa viteve të bashkëpunimit të shkëlqyer mes Kuvendit të Kosovës dhe AP-së të NATO-s.

Ai theksoi se përpjekjet e delegacionit të Serbisë dhe akterëve tjerë në Beograd s’ia dolën të ndalin Kosovën drejt avancimit të statusit.

“Letrat e shumta e përpjekjet e vazhdueshme të delegacionit të Serbisë por edhe të akterëve tjerë politik në Beograd nuk ja dolën të ndalin Kosovën drejt avancimit të statusit. Ju përcjell urimet më të përzemërta nga Sofje e Bullgarisë. I priftë e mbara Kosovës tonë!”, theksoi deputeti i Kuvendit të Kosovës.

Asnjë koment

Comments are closed.