Mungon i padituri, shtyhet seanca në rastin ku paditësi kërkon t’i kthehen 400 mijë euro
Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore, e paraparë për të enjten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, në çështjen civile ku paditësi Rifat Hajdini, kërkon t’i kthehet shuma prej 400,000 euro, nga i padituri Gëzim Shala.
Paditësi pretendon se kjo është i është paguar tani të paditurit përmes transferit bankar në emër të blerjes së aksioneve të një fabrike në fshatin Hoçë e Madhe në Rahovec.
Gjykatësi Jonuz Bugari, konstatoi se në fletëkthesat e lëndës shërbimi postar ka shënuar që i padituri është shpërngulur dhe nuk i dihet adresa.
Ndërsa, përfaqësuesi i palës paditëse, avokati Et’hem Rogova, deklaroi se pas kontaktit që do të bëjë me palën paditëse meqë është një rast specifik, për veprimet të mëtutjeshme do të njoftojë Gjykatën me shkrim.
Më pas, gjykatësi Bugari mori aktvendim se lidhur me këtë çështje do të veprohet pas pranimit të parashtresës nga ana e përfaqësuesit të paditësit, meqë gjykata është në dijeni se janë zhvilluar edhe procedura tjera në të cilën i padituri ka qenë i përfshirë.
Sipas padisë, së ushtruar më 10 shtator 2012, ndërgjyqësit kanë qenë në marrëdhënie afariste dhe janë marrë vesh që paditësi të blejë një sasi të aksioneve të fabrikës, e cila gjendet në Hoçë të Madhe, Komuna Rahovec, pronar i së cilës është i padituri.
Për këtë qëllim, siç thuhet në padi, paditësi kishte paguar në pesë raste, nëpërmjet bankës shumën prej 400 mijë euro, në emër të të paditurit.
Sipas padisë, blerja e aksioneve ishte bërë me kusht që fabrika të punojë me fitim dhe i padituri të paguaj për çdo muaj përqindjen e fitimit të aksioneve të blera, ku paditësi sipas marrëveshjes ka bërë pagesat për katër muaj rresht në shumën 15,000 euro.
Pasi që i padituri kishte dështuar në pagesën e fitimit, sipas padisë, palët janë marrë vesh që të prishin marrëveshjen e arritur dhe i padituri të kthej shumën 400,000 euro deri më 30 mars 2012, por edhe pas kalimit të këtij afati, i padituri nuk i ka kthyer paratë./betimiperdrejtesi