Mungon njëri prej të akuzuarve, shtyhet gjykimi ndaj tyre për prodhim dhe përpunim të paautorizuar të narkotikëve

Në Gjykatën Themelore në Prizren, ka dështuar të mbahet seanca e gjykimit ndaj të pandehurve Florim Kolgeci, Ali Hamzaj dhe Alban Hajdaraj, të cilët po akuzohen për veprën penale “prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotrope”.

Shkak për mosmbajtjen e kësaj seance ishte mungesa e të akuzuarit Ali Hamzaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi konstatoi se në shqyrtimin e së mërkurës nuk është prezent i akuzuari Hamzaj dhe për mos prezencën e tij ishte i pranishëm babai i tij, Hasan Hamzaj, i cili theksoi se djali i tij gjendet me punë në Zvicër.

“Për shkak të obligimeve në punë, nuk ka mundur që të vjen në Kosovë”, deklaroi babai i të akuzuarit,  duke shtuar se nga fundi i vitit djali i tij do të jetë në Kosovë.

Pas kësaj, gjykatësja Skenderi, në konsultim me prokurorin Metush Biraj, shtyu seancën për 29 dhjetor 2020, në ora 10:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, e përpiluar më 24 tetor 2011, të pandehurit Florim Kolgeci, Ali Hamzaj dhe Alban Hajdaraj po akuzohen se paautorizim kanë prodhuar dhe kultivuar substanca të shpallura të rrezikshme, në këtë rast narkotikë, me qëllim të shitjes, shpërndarjes ose ofrimit për shitje.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të pandehurit Florim Kolgeci, Ali Hamza dhe Alban Hajdaraj, së bashku me dëshmitarin Ismail Elshani, në fund të muajit prill të vitit 2011, në arën e babai të dëshmitarit Elshani, te vëndi i quajtur “Kurtina”, e cila gjendet në mes të fshatrave Shirokë dhe Leshan të Komunës së Suharekës, i akuzuari Florim Kolgeci me automjet i ka sjellur nga shtëpia e tij narkotikun e llojit “marihuanë” , të cilat i ka poseduar nëpër kutia plastike në formë të rasadit.

Në aktin akuzues thuhet se të njëjtat i mbjellin në mes të arës së mbjellur me miser, pastaj i kultivojnë dhe në fillim të muajit gusht të vitit 2011, pasi piqet narkotiku, disa here gjatë natës, e bartin me një automjet kombi, ku e fshehin në pullazin e shtëpisë së dëshmitarit Ismail Elshani, ku pas bastisjes nga ana e policisë, konfiskohen 717 bimë të llojit “Cannabis Sativa” dhe një sasi prej 5937.33 gramëve.

Me këto veprime, sipas aktit akuzues, të pandehurit akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “prodhimi dhe përpunimi i pa autorizuar i narkotikëve të rrezikshëm, substancave psikotrope”./BetimipërDrejtësi