22-11-2024

Në ditën e mjedisit shpallen “më ekologët” e Prizrenit

Në kuadër të shënimit të Ditës Botërore të Mjedisit, në mënyrë solemne, sot janë shpallur fituesit e konkursit për ballkonin më të bukur me lule, kopshtin më të rregulluar, rrugën më ekologjike dhe lagjen më të pastër të qytetit.

 

Përfaqësuesit e tyre janë shpërblyer simbolikisht me qëllim të vetëdijesimit dhe sensibilizimit të qytetarëve për rëndësinë e një mjedisi sa më të pastër dhe të shëndoshë.

 

Në vendin e parë për ballkonin më të bukur me lule u radhit, ai i Mehdi Xhibos, për kopshtin më të rregulluar u shpall Ismail Kujtimi rr. “Brigada 125”, shpërblimi për rrugën më ekologjike i takoi rrugës “Hafiz Ismail Haki”, të cilën e përfaqësonte Luzlim Drini.

Si lagjja më të pastër e qytetit u zgjodh ajo “Bazhdarhane-te Kullat”, ndërsa në emër të saj shpërblimin e pranoi Fadil Lezi.

 

Ajo që ra në sy me këtë rast ishte mbishkrimi gabim i tabelës për lagjen më të bukur. Ndonëse në konkurs është shkruar qartë, lagjja më ekologjike, në tabelën e dorëzuar  fituesit, është shkruar “lagjeja”.

 

Pra, del se lagjja më ekologjike sa i përket mjedisit, është e “ndotur” me tabelën e shkruar gabimisht. Edhe nëse bëhet fjalë për gabim teknik, kjo tabelë duhet zëvendësuar me një tjetër, të shkruar drejt.

 

Njoftohet se në këtë konkurs ka pasur një konkurrencë të fortë ndërmjet aplikuesve.

 

Kjo garë sivjet është organizuar për herë të 19-të. Kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, përderisa  dorëzoi shpërblimet, premtoi se vitin që vjen kur edhe është vit jubilar, pritet të ketë një karakter më të madh të kësaj ngjarjeje tashmë tradicionale duke shprehur besim se edhe interesimi i qytetarëve do të jetë akoma më i madh për një qytet më të gjelbër./GazetaePrizrenit/

Asnjë koment

Comments are closed.