26-04-2024

Në Konak të Rahovecit sot nis ”Hardh Fest” 2019

Një nga manifestimet më të rëndësishme në Kosovë, e që ka qëllim promovimin e kulturës dhe traditës vendore, festivali “Hardh Fest” nis sot, për të vazhduar me aktivitete të shumta edhe nesër e pasnesër.

“Konaku” i Rahovecit pritet të jetë plot vizitorë të cilët do të mund të mësojnë më shumë për vreshtarinë, e edhe do të shijojnë muzikë nga performues të ndryshëm botëror, përcjellë me lojëra e aktivitete të shumta, që tashmë janë tradicionale në festivalin e vjeljes së rrushit.

 

Hardh Fest, organizim që mbahet nën patronatin e kryetarit të Komunës së Rahovecit, synon promovimin e rajoneve vreshtare të Kosovës.

 

Drejtori artistik në Hardh Fest, Gardalin Shtavica, tha se qëllimi mbetet promovimi i turizmit në Rahovec.

“Ne si festival ndoshta më tepër kontribuojmë në promovimin e verës, promovimin e rrushit të Rahovecit, promovimin e vet qytetit të Rahovecit. Ne si qëllim e kemi po ashtu promovimin e turizmit në Rahovec, se zakonisht jemi mësuar që festivalet e mëdha të mbahen në vende të mëdha si Prishtina e Prizreni, ndoshta ka qenë befasi që në Rahovec, por ka qenë shumë tërheqës për njerëzit që me ardh në një vend pak më ndryshe”, thotë ai.

Ruajtja e traditave dhe zakoneve që lidhen me vreshtarinë dhe etnologjinë, shihet më së miri në Rahovec, sidomos në kohën e këtij festivali. Një mikpritje e rrallë, nën hijen e vreshtave, u bëhet të gjithëve që vizitojnë Rahovecin, dhe interesohen për kulturën e këtij vendi.

Sivjet, Hardh Fest organizon edhe minimaratonën, si fushatë vetdijësuese, në bashkëpunim me shoqatën e fëmijëve me fibrozë cistike.

Paraqitja kryesor në HardhFest do të jetë nga artisti Ronnie Romero, vokalist i grupit Rainbow. Sivjet, për Hardh Fest, Komuna e Rahovecit ka ndarë 15 mijë euro.

Hardh Fest, festival që tashmë ka marrë përmasa ndërkombëtare, sivjet organizohet nën moton “Një got’ për mot”./Indeksonline/

Asnjë koment

Comments are closed.