Në Zym të Hasit përurohet shtëpia muze e Katarina Josipit
Në Zym të Prizrenit është përuruar shtëpia muze e aktores së madhe dhe ikonike të Kosovës, Katarina Josipi, projekt në të cilin Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka investuar rreth 50 mijë euro, e cila është një monument i trashëgimisë kulturore në Zym të Prizrenit dhe që i kategorisë arkitekturore.
Në ceremoninë e përurimit mori pjesë edhe ministri Kujtim Gashi e cili e vlerësoi se gradualisht fshati Zym po shndërrohet në një pikë turistike të Kosovës.
“Është kënaqësi e veçantë që të marrim pjesë në një fshat të veçantë të Kosovës, i cili trajtohet me një ligj të veçantë, Ligji për fshatin Zym dhe pa dyshim që përkushtimi i jonë për këtë vendbanim të rëndësisë së veçantë dhe të trashëgimisë kulturore por edhe i imi si ministër është tejet i rëndësishëm. Edhe më herët disa ministra janë marrë me këtë projekt, i cili është stërzgjatur shumë. Ne, duke pas parasysh rëndësinë dhe specifikat që ka pasur ky projekt, natyrisht që është dashtë një punë e madhe dhe përkushtim për ndryshim brenda projektit”, tha ministri.
“Mbi të gjitha këtë objekt ia dedikoj një njeriut që ka punuar shumë për këtë projekt, Fikret Tekvesh, i cili nuk është më mes nesh, i cili me përkushtim të madh është angazhuar në këtë projekt. Ua uroj të gjithëve këtë projekt, sidomos qytetarëve të Zymit”, ka thënë Gashi.
“Fshati Zym tashmë po kthehet në qendër turistike. Po besoj që jemi në rrugë të mirë me ngrit edhe shtatoren e Pjetër Bogdanit. Edhe për ekspozitën sepse do të jemi prapë këtu, është fazë tjetër besoj shumë shpejtë do ta kemi dhe do të jemi prapë bashkë”, tha Gashi.
Nikollë Dulaj, familjar i Katarina Josipit, tha se e ka mirëpritur këtë projekt edhe pse e ka quajtur si të vonuar.
“I falënderojë të gjithë, posaçërisht ministrin. I përshëndes edhe shumë ministra të tjerë, 5 janë ndërruar deri këtu, ju e keni tash nderin më të madhin. Ma ne fund na erdhi puna për tu falënderuar për të gjitha që keni bërë edhe pse pak me vonesë nuk më ka penguar mua pse jemi vonuar”, ka thënë Dulaj. /GazetaePrizrenit.net/