20-04-2024

Të shtunën në Prizren “Nata e Bardhë”, bllokohen pjesërisht dy rrugët kryesore

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, sot së bashku me drejtoreshën e Aleancës Franceze, Anne-Sophie Veyrier dhe kordinatoren e projektit, Blerta Hoçia, mbajtën konferencë për shtyp në hapësirat e Komunës së Prizrenit, për të sqaruar detajet lidhur me organizimin e manifestimit kulturor, Nuit Blanche Prizren (Nata e Bardhë), e cila do të organizohet të shtunën më 14 shtator dhe do të jetë hera e parë që do të mbahet në një qytet të Ballkanit.

Në njoftimin nga Komuna, thuhet se Haskuka, fillimisht ka falënderuar partnerët e këtij bashkëpunimi, se me këtë organizim Prizreni i është bashkuar mbi 30 qyeteteve anembanë botës si Parisi, Roma, Montreali, Toronto e Madridi, të cilët po ashtu organizojnë këtë ngjarje. Kryetari Haskuka theks të veçantë i dha edhe hapësirave ku do të mbahen aktivitetet, pasi që disa rrugë të qytetit do të jenë të bllokuara përkohësisht për qarkullim të veturave dhe do të jenë ekskluzivisht të hapura vetëm për këtë ngjarje.

Kështu, dy rrugët kryesore të qytetit, rruga “Remzi Ademaj” dhe rruga “Adem Jashari”, do të jenë pjesërisht të bllokuar për qarkullim të veturave. Për më konkret, rruga do të jetë e bllokuar nga kthesa që lidhet me rrugën Faik Emrush (te ish-qebaptorja Sarajeva) deri tek udhëkryqi përballë PTK-së. Ky segment rrugor do të jetë i mbyllur vetëm ditën e shtunë nga ora 17:00 e deri në ora 07:00 në mëngjes.

Lidhur me këtë, kryetari kërkoi mirëkuptim nga qytetarët dhe ftoi ata që t’i përdorin rrugët alternative, duke mundësuar kështu më shumë hapësira publike për këmbësorët.

Kurse drejtoresha e Aleancës Franceze, Anne-Sophie Veyrier, duke folur për historinë e Natës së Bardhë dhe bashkëpunimin me Komunën e Prizrenit, tha se ky aktivitet artistik organizohet çdo vjet nga Komuna e Parisit, ndërsa idea është që një natë e vetme t’i dedikohet kulturës dhe performancave artistike. Ajo shtoi se Nata e Bardhë është inicuar nga nënkryetari i Parisit, Christopher Gerard në vitin 2001 dhe më pas u zgjerua në shumë vende të tjera të botës. Me organizimin e kësaj ngjarjeje kulturore ajo tha se është rritur edhe afërsia mes Kosovës dhe Francës.

Koordinatorja e projektit, Blerta Hoçia, tha se tema e këtij edicioni është “Qyteti i hapur” dhe sqaroi në detaje aktivitetet e ndryshme artistike që do të organizohen.

Në këtë edicion do të jenë gjithsej 16 aktivitete në lokacione të ndryshme brenda Qendrës Historike të qytetit, ku do të performojnë mbi 20 artistë. Ceremonia e hapjes do të jetë në ora 19:00 pranë Urës së Gurit, për të vazhduar më pas me itinerarin sipas programit.

Nata e bardhë organizohet në partneritet mes Komunës së Prizrenit, Komunës së Parisit, Ambasadës Franceze, Aleancës Franceze, Institutit Francez, Bashkimit Europian dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Asnjë koment

Comments are closed.