Nga KMDLNJ në UÇK

Nënkëshilli i  KMDLNJ-së në Prizren, që u formua më 1991 kishte një rrjet të gjërë vullnetarësh, të cilët në baza ditore raportonin  për shkelje të të drejtave të njeriut nga autoritetet serbe. Vitet e jetës nën masat e dhunshme, sidomos pas suprimimit të autonomisë së Kosovës ishin bërë të rënda, ndërsa dhuna shtohej vazhdimisht ndaj popullatës shqiptare.

Raportet për shkeljen e të drejtave ndaj shqiptarëve bëheshin më voluminoze, dita-ditës. Pos tjerash, kjo situatë irritonte dhe vet ata që dokumentonin dhe prezantonin raportet. Drejtuesit e KMDLNJ-së ishin të përfshirë në promovimin dhe mbështetjen e rezistencës kombëtare, shkruan sot “gazetaeprizrenit.net”.

Në fillim të shtatorit 1996, u zgjodh kryesia e re e nënkëshillit me këtë përbërje: Azem Ramadani-kryetar, Masar Shala-nënkryetar, Bashkim Gashi-sekretar, si dhe Xhevat Berisha (tani Hero i Kosovës), Ismail Kryeziu (tash dëshmor i Kosovës), Feti Hasani dhe Ferit Tafallari, anëtarë.

Të gjithë këta ishin veprimtarë të hershëm të çështjes kombëtare dhe të vetëdijshëm se çlirimi i  Kosovës nuk do të vijë vetvetiu, veprimtarë që kishin besim në forcën shqiptare për liri.

Azem Ramadani, kujton se në këtë kohë bashkëpunimi i Remzi Ademajt (tash Hero i Kosovës), kryetar i KMDLNJ-së në Zhur me veprimtarët e KMDLNJ-së në Prizren ishte i rregullt, jo vetëm rreth të drejtave të njeriut,  por edhe në mbështetjen e kauzës së përgjithshme kombëtare.

Me 27 shkurt 1998 policia serbe arreston Xhevat Berishën.

Nga kjo kohë Ismajl Kryeziu kalon në Shqipëri. Ai në ditarin e datës 22 maj 1998 shkruan:  “E porosita  vëllain që t’ia jep numrin e telefonit Bashkim Gashit në Këshill, pasi që Bashkimin, Azemin, Masarin, Fetiun dhe Xhevatin e burgosur i kam shokë pune  dhe ideali, dhe u bë një kohë e gjatë që nuk i kam parë, prandaj e ndiej mungesën e tyre në masë të theksuar” .

Me formimin e Shtabit të UÇK-së në Prizren, Remzi Ademaj u caktua komandant i shtabit, ndërsa Xhevat Berisha përgjegjës për zbulim dhe kundërzbulim, e Ismajl Kryeziu përgjegjës për lidhjet me Shtabet tjera të UÇK-së.

Në ditarin e luftës të Remzi Ademajt – Komandant Petritit, që mban datën 8 korrik 1998 shkruhet: “Sot në vizitë ishte Azem Ramadani. Biseduam rreth koordinimit të punëve për informim gjë që ramë në ujdi që Azemi me shokë, ta mbulojë qytetin”.

Në ditarin e tij po ashtu shkruhet: “Me 9 korrik 1998, në mbrëmje ishin për vizitë punë, Bashkim Gashi dhe Masar Shala. Biseda u zhvillua rreth bashkëpunimit. Me 13 korrik 1998, pasdite ushte Feti Hasani dhe Ferit Tafallari. Me ta u bisedua gjerë e gjatë rreth UÇK-së”.

Shtatorja e I.Kryeziut në  “Arbanë”

Nga kjo kohë anëtarët e kryesisë së KMDLNJ-së në Prizren kryen detyra konkrete për UÇK-në. Nga 8 gushti 1998, A. Ramadani udhëhoqi financat e Shtabit të UÇK-së për Prizren. Me 16 gusht 1998, arrestohet nga policia serbe Ferit Tafallari, i cili dënohet si pjesëtar i UÇK-së, nga Gjykata serbe në Prizren. Nga pjesa e dytë e gushtit 1998, UÇK-së në Vrri i bashkohet edhe Feti Hasani.

Shaqir Gashi, kujton se vetura i nënkëshillit të KMDLNJ-së, gjatë viteve 1998-1999 rregullisht u përdor për nevojat e UÇK-së./gazetaeprizrenit.net/