OJQ-të i kërkojnë Haskukës shkarkimin e drejtorit të akuzuar për keqpërdorim detyre

Shtatë OJQ i kanë kërkuar kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskukës, shkarkimin e drejtorit për Ekonomi dhe Financa (DEF) të Prizrenit, Ertan Simitqi, që është akuzuar nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare, transmeton  ‘Gazeta e Prizrenit’.

Organizatat: Ec Ma Ndryshe, IPSIA, OJQ THY, Nevo Koncepti, Qendra Rajonale e KMDLNJ-së Prizren, Fondacioni për Trashëgimi Kulturore – Legatum dheInstituti Demokratik i Kosovës (KDI), këtë e kanë bërë përmes një komunikate për shtyp.

Në vazhdim kërkesa e tyre:

“Integriteti institucional duhet të jetë fokus i angazhimit të përgjithshëm e veçanërisht i njerëzve në pozitat vendimmarrëse. Ngritja e aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Prizren për drejtorin e DEF, në cilësinë e të dyshuarit keqpërdorim të detyrës zyrtare, vë në pikëpyetje integritetin institucional përkatësisht qeverisjen lokale në Prizren. Sipas aktakuzës, Drejtori për Ekonomi dhe Financa pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me ligjet në fuqi ka lidhur kontrata për emitimin e spoteve për nevojat e drejtorisë me mediumet lokale.

Mungesa e vullnetit individual për të reflektuar në dhënien e dorëheqjes nga pozita e drejtorit të drejtorisë komunale, kërkon veprime konkrete të lidershipit komunal. Andaj, Organizatat e poshtëshënuara të Shoqërisë Civile, kërkojnë nga Kryetari i Komunës së Prizrenit z.Mytaher Haskuka ndërmarrjen e veprimeve konkrete në shkarkimin e vartësit të tij, i cili tashmë ka të ngritur aktakuzë nga Prokuroria Themelore në Prizren si i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Thënë ndryshe, premtimet elektorale ishin në vendosjen e standardeve për rastet e tilla dhe ruajtjen e kredibilitetit institucional. Ndërmarrja e veprimeve konkrete për shkarkimin e udhëheqësve të drejtorive komunale në rastet e ngritjes së aktakuzave, do të tregonte vullnetin e sinqertë në përmbushjen e premtimeve për rritjen e standardeve dhe ndryshimin e praktikave për të siguruar institucione me kredibilitet.

Në të kundërtën, vazhdimi i punës në ushtrimin e funksioneve të larta publike të zyrtarëve që kanë të ngritura aktakuza për keqpërdorim të detyrës zyrtarë, do të ulë besimin e qytetarëve në institucionet lokale dhe do të shërbejë si një praktikë jo e mirë në arsyetimin e veprimeve pranë organeve të drejtësisë.  /GazetaePrizrenit.net /

Organizatat:

Ec Ma Ndryshe

IPSIA

OJQ THY

Nevo Koncepti

Qendra Rajonale e KMDLNJ – Prizren

Fondacioni për Trashëgimi Kulturore – Legatum

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)