28-05-2026

Opozita në Prizren: Nuk kemi qenë në dijeni për Komisionin për vlerësimin e drejtorëve

Përfaqësuesit e opozitës në Kuvendin Komunal ( KK ) të Prizrenit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Bashkimi Demokratik ( BD ) deklaruan se nuk kanë pasur dijeni për Komisionin për vlerësimin e performancës së drejtorëve dhe zv/ drejtorëve aktualë të shkollave dhe përfshirjen e Arben Shalës.

Shefja e Grupit të Kuvendarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Dafina Alishani, tha se një komision i tillë nuk është prezantuar në materialet e punës dhe as në rendin e ditës së KK-së, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Të njëjtin qëndrim e shprehu edhe Shukri Quni, shef i Grupit të Kuvendarëve të BD-së, i cili tha se as subjekti që ai përfaqëson nuk ka qenë në dijeni për këtë proces.

Kjo çështje ka rikthyer vëmendjen te vendimi i KK-së, i cili tri javë më parë miratoi formimin e komisionit përzgjedhës të Drejtorisë Komunale të Arsimit ( për emërimin e drejtorëve dhe zv/drejtorëve të shkollave ). Në përbërjen e prezantuar atëherë nuk figuronte emri i përfaqësuesit të shoqërisë civile, Arben Shala, gjë që ishte interpretuar si tërheqje nga përfshirja e tij në procese të ndjeshme të sektorit të arsimit.

Nga Drejtoria Arsimit deklaruan për Gazetën e Prizrenit se Komisioni përkatës është themeluar në harmoni me legjislacionin primar dhe sekondar të arsimit.

Emri i Shalës është përmendur edhe më herët në debatet publike lidhur me proceset arsimore në Prizren. Para rreth tri vitesh, ai ishte bërë pjesë e polemikave pas publikimit të një audio-incizimi në media që lidhej me procesin e përzgjedhjes së drejtorëve të shkollave.

Në atë kohë, partitë opozitare LDK-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje, kishin reaguar duke kërkuar sqarime lidhur me procesin dhe duke ngritur pretendime për subvencione të përfituara deri afro 50 mijë euro, “nga një organizatë joqeveritare e lidhur me Shalën”. Këto pretendime ishin bërë pjesë e debatit politik, ndërsa nuk dihet për ndonjë vendim zyrtar që do t’i kishte konfirmuar ato.

Lexo edhe:

 

Asnjë koment

Comments are closed.