24-11-2024

Paraburgim dy shtetasve të Shqipërisë dhe arrest shtëpiak ndaj zyrtarëve doganorë të Vërmicës

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka miratuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizren për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit V.S, dhe V.S,1., shtetas të Shqipërisë, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale “kontrabandimi i mallrave”, “shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore” dhe veprën penale “tregti e ndaluar”.

Ndërsa për të pandehurit B.M, H.D, D.H, A.Z. M.A dhe L.R, shtetas të Kosovës, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të kryer në bashkëkryerje, “keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, ka refuzuar kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit dhe të njëjtëve u ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.

“Të pandehurit B.M, H.D, D.H, dhe A.Z dyshohet se më 01.01.2018 në vazhdimësi në pikën kufitare në Vërmicë – Prizren, në bashkëkryerje në cilësinë e personave zyrtarë – zyrtarë doganorë – duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, tejkalojnë kompetencat e tyre ose nuk i përmbushin detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, në atë mënyrë që lejojnë që personat S.K, A.H, V.S, V.S.1. M.A, L.R, dhe bashkëpunëtorët e tyre, të kontrabandojnë dhe shmangin kontrollin doganor të mallrave, përkatësisht cigare pa banderola”, thotë kjo Gjykatë, raporton Koha.net.

Ndërsa të pandehurit V.S, M.A, V.S,1, dhe L.R, me veprimet e përshkruara më lartë, dyshohet se kanë kryer veprën penale “kontrabandimi i mallrave”, veprën penale “shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore” dhe veprën penale “tregti e ndaluar”.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, caktimin e masës së paraburgimit, dhe masën e arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarve, e ka caktuar konform dispozitave të KPPRK-së në kohëzgjatje prej një muaji.

Me këtë rast, palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Lexo edhe:

Këta janë emrat e doganierëve shqiptarë të arrestuar në Prizren

Asnjë koment

Comments are closed.