Paraburgim të dyshuarit për falsifikim diplomash në Malishevë
Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditë, ndaj të pandehurit H.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale: falsifikimi i dokumenteve.
“I pandehuri H.M., në periudhën kohore Janar – Mars të vitit 2021, në Malishevë, pikërisht në agjencinë e tij, i njëjti përpilon dokument të falsifikuar, ndryshon dokumentin origjinal me qëllim të shfrytëzimit dhe atë 23 diploma të lëshuara në emër të personave të ndryshëm banor të komunave të ndryshme të Republikës së Kosovës për të cilat është pretenduar që janë lëshuar nga një Shkollë e mesme e lartë profesionale në Prizren, dhe të gjitha këto diploma janë përdorur gjatë aplikimit për vizë pune në shtete të BE-së, kurse personat e pajisur me këto diploma kanë paguar 350.00 – 400.00 euro për një diplomë, mirëpo pas verifikimit në librat amë të shkollës profesionale në Prizren, është konstatuar se gjithë këto diploma janë të falsifikuara dhe jo të lëshuara nga kjo shkollë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Në njoftim thuhet po ashtu se me rastin e caktimin të paraburgimit gjyqtarja e procedurës ka marrë parasysh edhe peshën e veprës penale, faktin që dyshohet se janë falsifikuar 23 diploma, si dhe me rastin e urdhër kontrollit nga ana e Policisë së Kosovës, në zyrat e agjencisë të të pandehurit janë gjetur edhe diploma tjera të dyshuara të falsifikuar.