PDK në Prizren akuza pushtetit për mirënjohjet me rastin e Ditës së Çlirimit
Dega e PDK-së në Prizren ka reaguar ndaj veprimit të Kuvendi Komunal të Prizrenit, me rastin e ndarjes së mirënjohjeve në Akademinë Solemne, për 20-vjetorin e Çlirimit të Prizrenit, ku siç thuhet konsideron së nuk është përfillur rregullorja për ndarjen e çmimeve apo mirënjohjeve, të cilën e ka miratuar ky organ.
Nëpërmes një komunikate për shtyp, thuhet se kjo është bërë pa ftesë publike për shoqatat, organizatat e grupet tjera, në mënyrë që do t’i propozonin njerëzit meritor për çlirimin e Prizrenit.
“Është e papranushme, aq më tepër kur kjo ndodhi në shënimin e Jubileut të një date të veçantë historike të qytetit tonë.Procesi është jotransparent, pasi as nuk dihet kush dhe mbi çfarë kriteri i ka bërë propozimet. Po ashtu e konsiderojmë si të papranueshme, që në një Ditë si ajo e çlirimit të mos dekorohet edhe komandant Drinit, kontributi i të cilit tashmë dihet për çlirimin e Prizrenit”, thuhet ndër tjera në reagim.
PDK konsideron se po ashtu është dashur që në mesin e të nderuarve të ketë edhe personalitete nga komunitetet joshqiptare, të cilët kanë kontribuuar për Prizrenin.
“Përveçse pa kritere ky proces është edhe me ndikime politike. Tashmë është e qartë se pushteti aktual i Prizrenit, të cilin e udhëheq Vetëvendosja që kritikonte 24-orë, nuk respekton dispozitat ligjore, duke bërë disa shkelje, për vetëm një vit e gjysmë të qeverisjes”, thuhet ndër tjera në reagimin e PDK-së në Prizren./GazetaePrizrenit.net