26-04-2024

Përvjetorët pa shtatoren e komandant “Drinit”- Çlirimtarit të Prizrenit

Shkruan: Qazim Morina

As ky përvjetor nuk ka ndryshuar nga të mëparshmit sa i përket ngritjes së shtatores për komandant “Drinin”. Monumenti edhe kësaj radhe mungoi.

Ekrem Rexha ishte oficer i karrierës, komandant i UÇK-së, drejtues i Shkollës Ushtarake dhe Doktrinës së UÇK-së, ishte intelektual i vërtetë, magjistër i shkencave, kandidat për doktoratë në Universitetin e Kanadasë, njohës i shtatë gjuhëve botërore. Qytetarët e quajtën çlirimtar i Prizrenit.

Përkundër premtimeve për bërjen e qytetit me monumentin kushtuar kontributit të tij, kjo nuk është realizuar, ndonëse mësohet se një marrëveshje për ngritjen e saj është në prag të finalizimit pas ripërsëritjes së tenderit nga ana e Komunës së Prizrenit.

Megjithatë në mungesë të saj, familjarët, bashkëluftëtarët, autoritet lokale si dhe qytetarët kanë mundur ta vizitojnë vetëm varrin e Drinit, në varrezat e dëshmorëve në Landovicë.

Ndonëse ky është përvjetori i dytë, që shënohet derisa menaxhimin e pushtetit e ka ish-opozita, e përbërë nga Vetëvendosje-LDK-Nisma dhe partitë e komuniteteve minoritare, shtatorja e premtuar nuk u ngrit.

Derisa ishte në opozitë, pushteti aktual ka bërë shumë kritika e premtime duke potencuar vazhdimisht mungesën e shtatores,  si dhe duke akuzuar ish-qeverisjen, që kah fundi i mandatit kishte paraparë mjetet në buxhet.

Konkursi për projektimin e Kompleksit Memorial kushtuar veprimtarisë së Ekrem Rexhës-komandant Drinit është përsëritur, pasi sipas zyrtarëve në konkursin e parë, ofertuesit e paraqitur nuk i kanë plotësuar kriteret e parapara,  ndërsa kanë ofertuar vetëm dy sosh.

Hapësira e paraparë  prej 1.400 m² për vendosjen e Memorialit të komandant Drinit gjendet në pjesën qendrore të Prizrenit, përkatësisht në rrugën “Adem Jashari”, apo në mini-parkun, përballë selisë së Kuvendit të Komunës (“Shtëpia e Bardhë).

Komuna për këtë projekt ka planifikuar  60 mijë euro nga investimet  kapitale.

Përzgjedhja e projektit është mirë të bëhet nga një komision gjithëpërfshirës profesional, në mënyrë që të ketë nivelin e një vepre artistike të realizuar mirëfilli.

Besojmë që vitin e ardhshëm, kur shënohet 20-vjetori i vrasjes, do ta gjej Prizrenin me shtatoren e djalit të tij, që në mënyrë të lavdishme ishte pjesë e luftës, komandant “Drinit”./GazetaePrizrenit.net/

Fotografia e Ekrem Rexha Komandant Drini

Asnjë koment

Comments are closed.