Pezullohen të gjitha vendimet për operimin e gurëthyesve në Malishevë
Kjo mbledhje është drejtuar nga kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës, Rrahim Morina, transmeton Klan Kosova.
Kuvendi në këtë mbledhje ka marrë disa vendime, e në mesin e këtyre vendimeve është edhe ai për pezullimin e të gjitha vendimeve dhe pëlqimeve për operimin kompanive të gurëthyesve në territorin e Komunës së Malishevës.
“Po ashtu në këtë vendim është kërkuar nga organet përgjegjëse që të marrin masa për revitalizimin e hapësirave të degraduara nga gurëthyesit, si dhe në të ardhmen, pëlqimet dhe vendimet në kërkesat e operatorëve për këtë veprimtari t’i lëshojë Kuvendi i Komunës”.
“Ky vendim i Kuvendit të Komunës, është marrë pas shqyrtimit të peticioneve të fshatrave Bellanicë, Turjakë dhe Panorc, lidhur me përgatitjet për operim të gurëthyesve në afërsi të fshatrave”.
“Përndryshe në mbledhjen e sotme, KK i Malishevës, ka miratuar rekomandimet e mbledhjes së fundit të jashtëzakonshme e mbajtur në muajin dhjetor të vitit të kaluar, si dhe ka marrë disa vendime tjera dhe ka shqyrtuar disa raporte të komisioneve të ndryshme”.
“Në mesin e këtyre vendimeve janë dhe Plani i Punës s Kuvendit, për vitin 2020, si dhe me disa rekomandime e ka miratuar edhe Rregulloren për Transparencë në Komunën e Malishevës”.