15-07-2024

Policia konfirmon djegien e dy zyrave të Institutit të Mjekësisë Ligjore: S’ka të lënduar

Objekti i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Prishtinë është përfshirë nga zjarri mëngjesin e së martës ku janë djegur dy zyre.

Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti tha se zjarri është lokalizuar nga zjarrfikësit, teksa nuk raportohet për persona të lënduar.

“Sot rreth orës 08:00, është raportuar se në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë , dy zyra janë përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin”.

“Nuk raportohet për persona të lënduar. Aktualisht  policia ka nisur ndërmarrjen e veprimeve hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”.

Kjo nuk është hera e parë që është djegur gjatë këtij vitit ky institute. Në mars të këtij viti, kishte shpërthyer një zjarr në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku ruhen provat e vdekjeve të dyshimta, vrasjeve apo raste të tjera që janë nën hetim.

Në lidhje me zjarrin e marsit, Policia kishte dhënë detaje, duke sqaruar se nuk kishte pasur persona të lënduar.

“INCIDENT ZJARRI/Instituti i Mjekësisë Ligjore, Prishtinë 25.03.2023, 20:20. Është raportuar se është përfshi nga zjarri objekti i Institutit të Mjekësisë Ligjore. Njësit policore si dhe zjarrfikësit kanë dal në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar zjarrin. Nuk raportohet për të lënduar. Rasti nën hetime”, thuhej në raport./Ekonomia Online.

 

Asnjë koment

Comments are closed.