Prizren: Inspektorati paralajmëron heqjen e konstruksioneve pa leje ndaj 24 bizneseve
Komuna e Prizrenit ka paralajmëruar vazhdimin e aksionit të nisur për largimin e të gjitha konstruksioneve përbrenda Qendrës Historike, të cilat nuk kanë leje dhe ndaj të cilave janë zhvilluar procedurat nga ana e Inspektoratit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Një ditë më parë, me arsyetimin se objekti në fjalë është ndërtim pa leje, inspektorët në Prizren kanë rrënuar terrasën e lokalit të familjes së ish-shefit të këtij sektori, Bujar Hasanit, ish-drejtor i Inspektorateve (në qeverisjen e kaluar).
Referuar njoftimit të Komunës, pas një inspektimi ka rezultuar se të gjitha objektet afariste që në formë aneksi kanë vendosur konstruksione metalike përbrenda Qendrës Historike, nuk posedojnë leje nga organet përgjegjëse, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Drejtori për Inspektorate në Prizrenit, Islam Thaçi ka sqaruar se paraprakisht sipas paralajmërimit të gjitha lokalet kanë këto objekte pa leje, kanë pasur afat që deri me datë 8 janar t’i largojnë vullnetarisht.
Aksioni ka nisur nga rruga ‘Adem Jashari’, por Thaçi ka premtuar vazhdimin nëpër hapësirat tjera të qytetit, ndaj 24 bizneseve të tjera që kanë bërë ndërtime të tilla pa leje, dhe kanë prishur konstruktin e qendrës historike. Ngjashëm pritet të vazhdojë edhe në qendrën e qytetit ‘Shatërvan’ dhe tutje në sheshin e “Lidhjes së Prizrenit”. /GazetaePrizrenit.net/