26-04-2024

Prizren: Ish-analisti i kredive deklarohet i pafajshëm për keqpërdorim detyre

I akuzuari për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Dritan Syla, është deklaruar i pafajshëm në seancën fillestare të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prizren.

Syla, akuzohet se në cilësinë e zyrtarit në institucionin mikro-financiar “Qelim Kosovë”, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, e fut të dëmtuarin Bashkim Sefa, si garantues kreditor, i cili nuk ka qenë fare prezent dhe pa e shprehur vullnetin e tij, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i çështjes Metush Biraj, i akuzuari Syla, tha se ndihet i pafajshëm për veprën që i ngarkohet.

Kurse, mbrojtësi i tij, avokat Ethem Rugova, theksoi se pretendimet e tij lidhur me kundërshtimin e organit të akuzës, do t’i paraqes me shkrim në afatin e paraparë ligjor, në kërkesën për hedhjen e aktakuzës.

Shqyrtimin e dytë për këtë çështje penale, gjykatësi Xheladin Osmani, e ka caktuar më 7 mars 2019, prej 9:30.

Ndryshe, ky rast fillimisht është iniciuar në Prokurorinë Themelore të Gjakovës, mirëpo kjo prokurori për t’i ikur konflikt të interesit, ka kërkuar përjashtim nga rasti, pasi që i akuzuari Syla, rezulton të jetë i djali i prokurores Mone Syla, dhe për këtë Prokuroria e Apelit, ka vendosur që rasti t’i delegohet Prokurorisë së Prizrenit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, të ngritur më 20 dhjetor 2018, Dritan Syla, akuzohet se në cilësinë e analistit të kredive, në institucionin mikro-financiar “Qelim Kosovë”, në Gjakovë, jashtë detyrave dhe përgjegjësive të përshkruara në kontratë, pa leje dhe dijeninë e të dëmtuarit Bashkim Sefa, atë e vendos si garantues të kredisë.

Organi i akuzës, thotë se gjatë muajit maj 2018, i akuzuari Syla, gjatë përgatitjes së dokumentacionit për marrje të kredisë 1500 euro, për klientin Dan Sefa, e vendos në dokumentacion të dëmtuarin Bashkim Sefa, si garantues i kredisë, megjithëse ai nuk ka qenë fare prezent, për të shprehur vullnetin e tij për një gjë të tillë.

Sipas aktakuzës, të dëmtuarit i shkakton dëm të konsiderueshëm, pasi që më vonë, të njëjtit i është mohuar të marrë kredi për arsye se në regjistrin e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ai figuron si debitor i keq.

Me këtë, ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës./Betimiperdrejtesi

Asnjë koment

Comments are closed.