Prizren: Mbi 681 mijë euro shpenzoi Drejtoria e Arsimit për honorare të mësimdhënësve (Dokument)
Një shumë prej 681 mijë euro është shpenzuar për honorare të mësimdhënësve në shkollat e komunës së Prizrenit, për t’i paguar mbinormat gjatë dy viteve të fundit nga DKA, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Shprehur në paga mujore, nëse për dy vitet e fundit merret si pagë mesatare vlera prej 500 euro, atëherë kjo shumë zbërthehet me 1.360 paga.
Norma për një mësimdhënës është 20 orë javore. Sipas burimeve nga disa shkolla, ka pasur raste kur një mësimdhënës ka mbajtur deri në 30 orë.
Referuar shënimeve zyrtare nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), më së shumti mjete janë paguar gjatë vitit 2023, apo afro 398 mijë euro, derisa vlera më e lartë është shpenzuar në muajin shkurt, rreth 62 mijë euro, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Nga prilli e deri në fund të vitit 2022, për honorare ndërkaq janë paguar mbi 283 mijë euro.
Krahasuar me vitin paraprak, gjatë 2023-tës shuma për honorare është ngritur për 115 mijë euro.
Një gjë e tillë po ndodh në kohën kur ka shumë të rinj të kualifikuar, që po presin punë, sidomos femra. Në shkollat e Komunës së Prizrenit, sidomos në Has, sipas burimeve të Gazetës së Prizrenit, për muaj të tërë ka mungesë të mësimdhënësve.
Derisa shumë mësues presin të sistemohen, ka edhe raste kur ekzistenca familjare varet direkt nga një pagë. Kjo ua pamundëson kuadrove të reja kyçjen në procesin e arsimit, qoftë edhe për të kryer përvojën e nevojshme paraprake.
Disa arsimtarë me kusht anonimiteti kanë thënë se ndarja e honorarëve aky ku ekzistojnë mundësitë, bëhet jo vetëm sipas nevojës, por sipas preferencave të drejtorëve, andaj dyshohet për pagesa, meqenëse në shumë raste, lista e pagave nuk bëhet transparente, duke e ekspozuar në sallën e arsimtarëve. /Gazeta e Prizrenit
Lexo edhe:
Reagon LDK: Arsimi në Prizren është duke përjetuar degradimin më të madh nga paslufta