Prizren: Përurohet Qendra Kulturore Boshnjake

Në shënim të Ditës Kombëtare të Boshnjakëve, Kryeministri i Republikës e Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi morën pjesë në ceremoninë solemne të përurimit të Qendrës Kulturore Boshnjake në Prizren.

“Është nder të jem sot me ju dhe të shënojmë siç na ka hije Ditën e Boshnjakëve”, u shpreh kryeministri Kurti në fillim të fjalës së tij. Në këtë ditë kujtohet Parlamenti i Parë Boshnjak i rrethuar në Sarajevë në vitin 1993 dhe dita kur boshnjakët luftuan për të drejtën e patjetërsueshme të emrit të tyre, shtoi ai.

Ai vlerësoi kontributin e boshnjakëve në zhvillimin e Republikës së Kosovës, ndërsa tha se përfaqësuesit politikë të boshnjakëve sot janë pjesë përbërëse e qeverisë, duke ndikuar drejtpërdrejt në marrjen e vendimeve të rëndësishme për shoqërinë tonë dhe interesat e vendit në tërësi.

Kryeministri veçoi mbështetjen e Zyrës së Kryeministrit për komunitetin boshnjak, nëpërmjet Zyrës për Çështje të Komuniteteve, që ka ndarë grante në mbështetje të projekteve për vendimmarrje për rini, aktivitete kulturore, promovim të trashëgimisë së artizanatave për gratë boshnjake, gazetarinë për komunitetin, emisione në radio dhe televizion për komunitetin si dhe Kongresin e intelektualëve boshnjakë të Kosovës, ndërkaq tha se nga 100 të rinj të pranuar në programin e Qeverisë për punë praktike 6 muajshe në institucione, 32 janë nga komuniteti boshnjak.

Zëvendëskryeministrja Rexhepi gjithashtu u shpreh e lumtur që së bashku me kryeministrin Kurti sot po shënojmë këtë festë kombëtare për boshnjakët duke përuruar Qendrën Kulturore në Prizren. “Jam krenare që bashku me juve punuam që sot në Prizren boshnjakët të kenë vendtakimin e tyre, këndin e tyre për të rinjtë, OJQ-të, shoqëritë kulturore artistike, gratë, pensionistët, një vend ku ata mund të dëgjojnë muzikë në gjuhën e tyre”. Ajo shtoi se me këtë qendër sot po ruajmë dhe kultivojmë trashëgiminë kulturore së bashku me të gjitha komunitetet tjera në Republikën e Kosovës.