26-04-2024

Prizren: Teatri rom performon në shqip për ta ndihmuar shërimin e regjisorit Bekim Lumi

Në kuadër të fushatës “Për Bekimin” edhe Teatri Rom i Prizrenit (Shtëpia e Kulturës “Xhemajli Berisha-Prizren), në partneritet me Dokufest dhe Lumbardhi i bashkëngjitet komunitetit artistik të Kosovës në nismën për ta lehtësuar shërimin e artistit dhe regjisorit Bekim Lumi.

Në njoftimin dërguar mediave, thuhet se për këtë arsye, Teatri Rom i Prizrenit, i cili funksionon që nga viti 1989, ka vendosur që monodramën “Panta Rhei” nga sezoni i kaluar ta rishfaq  për hir të Lumit dhe kështu të dëshmoi se artistët janë më të bashkuar se kurrë, për ta ndihmuar njëri-tjetrin.

“Për shkak të qasjes ndaj publikut, “Panta Rhei” do të performohet në gjuhën shqipe. Kjo do të jetë hera e parë që ky teatër performon shfaqje në një gjuhë tjetër (pos romishtes) – “Gjithçka #PerBekimin”, thuhet në njoftim.

Të gjitha biletat e shitura (çmimi i së cilës do të jetë 1€+) do i dedikohen shërimit të Bekim Lumit. Shfaqja do të jepet, me 20 maj në orën 18:00, në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha”.

Asnjë koment

Comments are closed.