19-04-2024

Prizren: Vazhdoi dhënia e dëshmive ndaj ish-komandantit “Molla e Kuqe” i akuzuar për krime lufte

Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren ka vazhduar dhënia e dëshmive në gjykimin ndaj ish-komandantit të UÇK-së Remzi Shala, i akuzuar për krime lufte.

Sot për të dëshmuar u paraqit Xhafer Shukolli, ish-ushtarë i UÇK-së në zonën e Grejqevcit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në fillim të shqyrtimit, prokurori Haki Gecaj e pyeti dëshmitarin se a qëndron pranë deklarimeve të dhëna në shqyrtimet e kaluara. Dëshmitari deklaroi se qëndron pranë atyre deklarimeve të dhëna më herët.

Tutje dëshmitari deklaroi se gjatë kohës së luftës në fshatin Duhël ka pasur të organizuar roje të fshatit dhe se ky edhe vetë ka qenë roje si të gjithë fshatarët e tjerë.

Dëshmitari tregoi se organizimi i rojeve, ka qenë më shumë spontan dhe nuk ka pasur ndonjë listë për roje, por më shumë kanë bërë roje pa përcaktim.

Dëshmitari tutje tha se në kohën e luftës, ata i kanë njohur ushtarët më shumë me nofka, ndërsa të akuzuarin e ka njohur me nofkën “Molla e Kuqe”, por jo edhe me emrin Remzi Shala.

Tutje dëshmitari deklaroi se ai epror e ka pasur Xhemë Kapetanin, dhe se në njësinë e tij kanë qenë rreth 12-13 ushtarë.

Në pyetjen e prokurorit, se komandant Guri, kujt i është përgjigjur, dëshmitari deklaroi se Guri i është përgjigjur Komandant Kumanovës.

Dëshmitar tregoi që ai personalisht nuk ka marrë urdhra nga komandant Kumanova, por që tregoi se Kumanova, ka ardhur dy tri herë në shtab dhe ka biseduar me komandat Gurin, në lidhje me hapjen e istikameve dhe rritjen e numrit të ushtarëve.

Më tej dëshmitari deklaroi se në pikën ku ka qenë ai, nuk kanë pasur ndonjë vend për ndalimin e personave të dyshuar.

Po ashtu dëshmitari, deklaroi se me familjen Përteshi janë të të njëjtit fshat dhe se me familjen e Haxhi Përteshit, kanë pasur raporte të mira, madje kanë pasur edhe vizita të ndërsjella.

Në lidhje me rastin e Haxhi Përteshit, dëshmitari deklaroi se ai për herë të parë ka dëgjuar, kur dy vajzat e Haxhiut, kanë shkuar tek ai dhe e kanë pyetur se ku është babai i tyre, sepse e kanë marrë UÇK-ja, ndërsa ky i ka thënë që të shkojnë të bisedojnë me komandant Gurin, mirëpo ato kanë refuzuar të flasin me komandant Gurin dhe i kanë thënë që ti na ke marrë babain.

Dëshmitari tutje tregoi se pastaj ai ka biseduar me Xhemë Kapetanin, të cilit i ka treguar se çfarë i thanë vajzat e Haxhiut, ndërsa Xhema ka thënë se “po më çudit edhe mu se kush janë ata ushtarë që e kanë marrë Haxhiun dhe ku e kanë dërguar”.

Po ashtu, dëshmitari deklaroi se më vonë për Haxhiu, ka dëgjuar nga mixha i tij, Vesel Shukolli, i cili i ka treguar se Haxhiu, është gjetur i vdekur.

Dëshmitari më tej tha se nuk kam mundur të kuptoj asgjë në lidhje me Haxhi Përteshin, por se vetëm ka dëgjuar se e kanë marr, duke shtuar se me Agronin gjatë luftës kanë qëndruar bashkë, por ai asnjëherë nuk ka biseduar se te kush po dyshon që ia ka marr babanë dhe se vetëm tek para fillimit të këtij procesi gjyqësor e ka përmendur Remzi Shalën.

“Po ashtu me një raste në vitin 2002 – 2003, Agroni më ka përmendur Remzi Shalën, ku pastaj ka ardhur edhe Zeneli, kemi qenë në oborrin e tij dhe ai tha se është i interesuar me kuptu për fatin e babait të tyre dhe se e kanë përmendur ‘Mollën e kuqe’, duke më lutur si fqinjë që të tregoj çka do që di, deklaroi dëshmitari Shukolli.

Pas këtyre deklarimeve të dëshmitarit, i akuzuar Remzi Shala, deklaroi se nuk po ndihet mirë dhe se ka probleme shëndetësore, gjë që bëri që seanca të shtyhet deri pas pauzës së drekës.

Pas pauzës së drekës, kryetarja e trupit gjykues Raima Elezi, njoftoi se ka siguruar raportin e nënshkruar nga Drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Hamit Ademaj, psikologe Valdete Kicaj-Gashi dhe Dr.Liridona Buzhala, mjeke në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, me të cilin raport konstatohet që i akuzuari i ishte nënshtruar një operacioni.

Tutje kryetarja e trupit gjykues tha se ka biseduar në telefon me Dr, Liridona Buzhala, e cila i ka treguar se i akuzuari nuk e ka gjendjen e mirë shëndetësore dhe nuk mund të paraqitet në sallën e gjykimit.

Për shkak të mungesës së të akuzuarit, seanca u shty dhe u caktua që të mbahet me 21, 22, 23 dhjetor 2020, ku dëshminë e tij do ta vazhdoi dëshmitari Xhafer Shukolli, ndërsa në cilësinë e dëshmitarit pritet të paraqiten edhe Avdi Trolli dhe Emrush Guri.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda më 8 korrik 2019, kishte marr aktgjykim me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile duke u dënuar me 14 vite burg.

Por Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin në 10 vjet burgim.
Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj, ndërsa Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte propozuar që kërkesa e mbrojtësit të të dënuarit të refuzohet si e pabazuar.

E Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, në maj të këtij viti, e ka kthyer rastin në rivendosje.
Ish-komandanti i UÇK-së, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shala akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.