Prizren: Vetëm njëra nga tri kompanitë kontraktuese respekton orarin për larjen e rrugëve
Komuna e Prizrenit mbrëmë ka bërë një mbikëqyrje të ecurisë së punëve për pastrimin e rrugëve, ndërsa siç raportohet ka dalë se nga tri kompanitë kontraktuese vetëm njëra ka respektuar orarin, transmeton “gazetaeprizrenit.net”.
Me urdhër të Drejtorit të Shërbimeve Publike, mbrëmë nga ora 21:00 zyrtarët komunalë kanë dalë në terren për të inspektuar punën e tri kompanive të cilat merren me larjen dhe fshirjen e rrugëve.
Në njoftimin e komunës, thuhet se gjatë këtij inspektimi, është vërejtur se vetëm njëra prej tyre ka qenë në detyrë sipas orarit, derisa dy kompanitë e tjera nuk e kanë respektuar orarin që e kanë.
“Për këto raste, u është tërhequr vërejtja këtyre kompanive për mosrespektim të orarit dhe tani e tutje mbikëqyrja do të jetë akoma më strikte”, thuhet në njoftim.
Kohë më parë, në faqen e Komunës ishte publikuar orari i pastrimit të rrugëve me qëllim të mbikëqyrjes së këtyre kompanive edhe nga ana e qytetarët, të cilët mund të njoftojnë parregullsitë nëpërmjet Qendrës së Thirrjeve 0800 19 200./gazetaeprizrenit/