Prizren: Vidhet furgoni nga oborri i zyrave të Parkut të Sharrit

Të dielën, në parkun nacional të Sharrit në fshatin Petrovë të Prizrenit, është vjedhur një automjet i konfiskuar para disa ditësh, raporton Gazeta Sinjali. Rasti është denoncuar sot në Polici teksa i dyshuari ende nuk është identifikuar.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se automjeti që i vjedhur ishte konfiskuar më 22 korrik në Shtërpcë dhe u dërgua në oborrin e zyrave të parkut, por sot zyrtari e kishte vërejtur se nuk gjendet më në oborr.

Policia ka nisur hetimet, me ç’rast ka siguruar edhe pamjet e kamerave që do të ndihmojnë për ta identifikuar nëse personi që ka vjedhur furgonin është pronari nga i cili u konfiskua automjeti.

Ndryshe, konfiskimi i këtij automjeti është bërë në Brod të Shtërpcës, mesnatën e së premtes, pasi Policia kishte siguruar informacione se ky furgon po transportonte drunj ilegalisht.