26-04-2024

Prizren: Zejtarët e afaristët të pakënaqur me propozim-rregulloren për orarin e punës

Shoqatat e zejtarëve dhe të afaristëve të Prizrenit kërkojnë nga organet komunale rishikimin e përmbajtjes aktuale të propozim-rregullores për orarin e punës së subjekteve afariste, hoteliere, zejtare dhe shërbyese të kësaj komune. Sipas tyre, nëse këto kërkesa nuk merren parasysh atëherë anëtarët e Shoqatës së Zejtarëve dhe Afaristëve, të shoqatës “Esnaf” dhe të “Sofrës” (ZES) do të organizojnë protesta.

Nënkryetari i SHZAP-së, Sami Dida, duke folur në emër të ZES-it ka pohuar se këto tri shoqata janë të pajtimit që të miratohet një rregullore për orarin e punës së subjekteve afariste, por se kërkojnë që ky akt të jetë në përputhje me kërkesat dhe nevojat e tregut aktual, shkruan sot Koha Ditore.

“ZES-i paralajmëron që nëse nuk merren parasysh kërkesat e shprehura në raport me përmbajtjen e draft-rregullores për orarin e punës atëherë do të organizojë protesta. Mënyra e protestës do të përcaktohet në ditët në vijim, në rast nevoje”, ka thënë Dida.

Sipas tij, duhet aplikuar rregulla, por jo në mënyrë rigoroze dhe vetëm në kurriz të subjekteve afariste. “Rregullorja në fjalë nuk duhet të orientohet vetëm në aspektin social, por duhet t’i merr parasysh edhe kërkesat e bizneseve të komunës sonë. Pra, duhet të jetë më e balancuar”, ka thënë Dida.

Ai ka shprehur qëndrimin se Drejtoria e Turizmit dhe Zhvillimit Ekonomik ka përpiluar propozim-rregulloren pa e marrë në konsideratë ambientin e të bërit biznes në Komunën e Prizrenit.

Asnjë koment

Comments are closed.