07-05-2024

Prizreni me rrethinë pa asnjë incident në ditën e parë të 2019-ës

Prizreni me rrethinë e ka nisur për së mbari vitin 2019. Për dallim nga qendra tjera, kjo pjesë e Kosovës, ditën e parë të këtij viti e ka filluar pas asnjë ngjarje apo incident me rëndësi për ta raportuar policia, transmeton “Gazeta e Prizrenit”.

Në raportin e Policisë së Kosovës për 24 orët e kaluara, përkatësisht për 1 janar 2019, sa i përket rajonit të Prizrenit, rubrika ka qenë e zbrazët, pasi në të policia ka shënuar “Asgjë me rëndësi për raportuar”.

Pos komunës së Prizrenit, si pjesë e rajonit janë edhe komunat: Suharekë, Sharr (ish-Dragash) dhe Mamushë.

Përkundër, që në këtë raport përfshihen ngjarjet nga fillimi i 1 janarit, pra mesnata, kur është shënuar edhe ndërrimi i viteve dhe kur zakonisht hidhen fishekzjarre dhe mjete piroteknike, nuk është përmendur asgjë e rëndësishme. Kështu ka ndodhur edhe me aksidentet në trafik.

Ndryshe, Prizreni që njihet ndër qendrat më të qeta të vendit, edhe më parë gjatë vitit të kaluar ka ndodhur, që ditën ta ketë kaluar pa asnjë incident.

Në përmbyllje të vitit që shkoi, policia në Prizren ka raportuar për rënie të nivelit të krimit për 1.29 % krahasuar me vitin 2017. /GazetaePrizrenit.net

 

Asnjë koment

Comments are closed.