Prizreni në prag të festave, kino “Lumbardhi” do një fasadë

Pak ditë e ndajnë Prizrenin nga shënimi i dy përvjetorëve,  ndër më të rëndësishmit në historinë e tij.  Më 10 qershor shënohet 140 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (LSHP-së), ndërsa me 12 qershor – Dita e Çlirimit të qytetit.

 

Ndërkohë  që po bëhen përgatitje dhe janë paralajmëruar aktivitete të ndryshme për shënimin e këtyre datave, sidomos të jubileut të LSHP-së, tash kur ka mbetur edhe një javë,  nuk po shihet ndonjë përgatitje për freskimin e fasadës së njërit prej objekteve më të mëdha, në pjesën qendrore,  atij të kinemasë “Lumbardhi”, pamja aktuale e të cilit kërkon një intervenim, shkruan “Gazetaeprizrenit.net”.

 

Objekti ndodhet në listën e përkohshme të monumenteve të vjetra. Pas një riparimi kohë më parë të mjediseve të brendshme,  ai është funksionalizuar, por sigurisht fondet nuk kanë mjaftuar edhe për pjesën e jashtme.

 

LSHP-ja është njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme në historinë kombëtare shqiptare.

E kësaj radhe, pos autoriteteve të larta të Kosovës e Shqipërisë është paralajmëruar të marrin pjesë edhe përfaqësues të shqiptarëve të Maqedonisë,  ata të Malit të Zi dhe bashkatdhetarët që jetojnë në vendet perëndimore dhe në SHBA.

 

Ditët festive dhe prania e personaliteteve të rëndësishme shqiptare, përfshirë edhe historianë të huaj,  kërkon që qyteti të përgatitet sa më mirë,  jo vetëm sa i përket aspektit higjienik, por edhe anës vizuale. Kjo sidomos të zonën qendrore, që edhe është në fokus të mysafirëve.

 

Ajo që bie në sy janë objektet në pjesën qendrore të Prizrenit, të cilat konsiderojmë se duhet të marrin pamje më “të freskët”. Drejtoria për Urbanizëm dhe planifikim hapësinor në bashkëpunim me Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Historike në Prizren është mirë që sa më parë ta nisin projektin,  që ka të bëjë fasadimin e ndërtesës së kinos apo edhe të ndonjë objekti tjetër, që ka nevojë për një ndërhyrje të tillë.

 

Objekti i kinemasë ndodhet në pjesën qendrore ku edhe zhvillohen manifestimet kryesore, ndërsa pos dëmtimit të fasadës aktuale, aty qëndrojnë edhe grafite.

 

Realizimi i projektit nuk duhet të vonojë në mënyrë që finalizohet para fillimit të manifestimeve të qershorit.  Krahas zbukurimit të objektit, projekti ndikon edhe në një pamje, që shihet nga rruga kryesore, që kalon skaj tij si dhe nga qendra e qytetit. /Gazetaeprizrenit.net/