02-12-2020

Në vitin 2019 pritet që Suhareka të bëhet me shtëpi të kulturës

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, ka folur për problemet që po e përcjellin ndërtimin e shtëpisë së kulturës në këtë komunë.

Ai ka thënë se fillimisht ky ndërtim nuk ka pasur leje dhe se procedura ka nisur me probleme, ndërkaq përgjegjësia për ndarjen e buxhetit i takon Ministrisë së Kulturës.

“Nuk ka ndonjë datë se kur do të përfundojë pasi që kjo varet nga buxheti i Republikës së Kosovës. Është një buxhet që ka kaluar në buxhetin 2016. Për 2017-ën ka qenë e paraparë, megjithëse ka pasur gabime të mëdha, tenderi është kryer në muajin shtator-tetor, kështu që punët kanë filluar në fushatë, mirëpo për fat të keq nuk ka pasur leje urbanistike. Nuk ka pasë pëlqim, atëherë ne jemi marrë me këto punë dhe kemi arritur të fillojmë para 10 dite”, tha ai për EO.

Muharremaj tregoi se pret që këtë vit të marrin një shtesë të buxhetit të Kosovës nga Ministria e Kulturës.

“Është duke u ndërtuar shtëpia e kulturës me shumë probleme, për shkak të planit se nuk e kanë realizuar planin, për shkak se hapësira ka qenë më e vogël se objekti që e kanë paraparë. Mirëpo kemi ardhur në përfundim, kemi lëshuar planin urbanistik, kemi lëshuar lejen edhe e kemi lëshuar pëlqimin dhe besoj që kemi filluar punën dhe besoj që këtë vit presim edhe një shtesë të buxhetit të Kosovës nga Qeveria, nga Ministria e Kulturës dhe besoj që shumë shpejt shtëpia e kulturës ka me përfunduar”.

Ai tha se edhe pse nuk dihet data e saktë, pritet që punimet të përfundojnë në vitin 2019.

“Kjo ka qenë e paraparë në buxhetin e vitit 2017, 2018-2019, po flas kur kam qenë si deputet. Ka qenë e paraparë për tri vite, mirëpo 2017 ka shku dhe 2018-2019 pres që vitin e ardhshëm të përfundojë komplet pallati i kulturës në Suharekë”, tha ai.

Ndërkaq lidhur me borxhet e qeverisjes së kaluar ai tha se po kryejnë detyrimet të cilat u janë lënë. Muharremaj tha se komuna do t’i përfundojë të gjitha obligimet e parapara me kontratë kolektive për mësuesit, arsimtarët dhe pensionistët, raporton Ekonomiaonline.

Asnjë koment

Comments are closed.