Prizreni organizon mbrëmje mikpritëse për kurbetçinjtë
Në Prizren për herë të parë do të mbahet mbrëmja madhështore “Sofra e mikpritjes për kurbetçinjtë” që organizohet me ndihmën e Ministrisë së Kulturës dhe në përkujdesjen e drejtpërdrejtë të ministrit Kujtim Gashi. Organizatorët kanë njoftuar se përveç këngëve e valleve të folklorit tonë do të jetë e begatë me ushqimet tradicionale.
Koncerti mbahet me 31 korrik në Kejin e Lumbardhit, në Shatërvan, duke filluar nga ora 19:00.
Ansambli i Këngëve dhe i valleve “Emin Duraku” nga Zhuri në bashkëpunim me Studion “Helix” janë na fazën përfundimtare të përgatitjeve për koncertin e madh, i cili organizohet për bashkatdhetarët tanë që po qëndrojnë në pushime në vendlindje.
Hajdar Elezkurtaj drejtor i Ansamblit të këngëve dhe valleve “Emin Duraku” njofton se përveç repertorit të pasur të AKV “Emin Duraku” që do të shpaloset në Kejin e Lumbardhit në Shatërvan të Prizrenit, me programin e pasur do të paraqiten edhe AKV “Lidhja e Prizrenit” dhe Ansamblet e komuniteteve: SHKA e komunitetit turk “Dogri yol“ dhe ajo e komunitetit boshnjak “Sharski Behar“.
Përveç Ansambleve në mbrëmjen mikpritëse, sipas organizatorit do të paraqiten edhe emra të njohur të estradës sonë muzikore që e kultivojnë këngën popullore.
Kontributi ekonomik i kurbetçinjve për familjet e tyre në Kosovë dhe jo vetëm për familjet e tyre është i madh prandaj në shenjë falënderimi dhe respekti për ta por organizojmë për herë të parë, koncertin mikpritës “Sofra e kurbetqarëve”.
Gjatë koncertit mërgimtarët në sofrën e shtruar do të shërbehen më ushqimet tradicionale vendase, që do të përgatiten nga familjet e Zhurit.
Me këtë rast do të shpërndahen mirënjohje për ata që kanë kontribuuar për çështjen e shtetësisë së Kosovës në forma të ndryshme.
Nga qyteti I Prizrenit dhe rrethina një numër i madh i qytetareve punojnë në vende të ndryshme të Evropës e deri në Amerikë dhe të cilët kanë dhënë dhe po japin kontribut të madh për vendin./Gazetaeprizrenit.net/