19-04-2024

Prizreni prin me 15 nga 52 rastet e sotme me koronavirus

Sot, më 23 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK janë testuar gjithsej 302 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, ndërsa me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 52 raste.

Sa i përket rajonit tonë, numri më i madh i të infektuarve, sot është nga Komuna e Prizrenit 15 raste, ndërsa ajo e Mamushës me 6 raste, transmeton Gazeta e Prizrenit.

Rastet tjera pozitive janë nga: komuna e Prishtinës 13 raste, komuna e Fushë Kosovës 5 raste, komuna e Vushtrrisë 4 raste, komuna e Gjilanit 3 raste, komuna e Skenderaj 2 raste dhe me nga 1 rast komunat: Mitrovicë, Obiliq, Podujevë dhe Viti.

Sot më 23 qershor 2020, janë shëruar 39 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 1.108 raste.

Nga data 08 shkurt deri më 23 qershor 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 22.133 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 2.268 raste, me gjithsej 38 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 23 qershor 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 9.268.966 raste të COVID-19 dhe 476.376 raste të vdekjes. / GazetaePrizrenit.net /

Asnjë koment

Comments are closed.