20-04-2024

Problemet e zhvillimit në fëmijëri dhe sfidat e prindërve

Shkruan: Phd (C) Batjar Halili

Në rastet e çrregullimeve psikologjike tek fëmijët, prindërit vonohen të kerkojnë ndihmën e ekspertëve. Me një fjalë, kur fëmija ankohet për dhimbje stomaku prindërit vonohen për ta dërguar tek mjeku ose fëmija nuk dërgohet tek eksperti i shëndetit mendor shpejt kur ai ka probleme psikologjike. Ndaj pyetja që shtrohet është; kur shikojmë këto modele të sjelljeve prindërore ndaj këtyre problemeve, si mund të përparojmë drejt mirëqenies psikologjike të fëmijëve?!

Njerëzit janë pak më konservatorë në marrjen e ndihmës së një eksperti për sëmundjet psikologjike të fëmijës së tyre. Duke menduar se problemet e tyre mund të jenë të përkohshme, ato mund të zgjasin një periudhë derisa vështirësohet situata dhe pastaj  për të kontaktuar psikologët. Por, në fakt, fëmijëria është një periudhë shumë e rëndësishme në të cilën mund të parandalohet përjetimi i problemeve më serioze.

Natyrisht, krahasuar me vitet e mëparshme, rëndësia e marrjes së shërbimit psikologjik për fëmijët po rritet. Në kohët e mëhershme, atëherë kur roli i psikologut nuk llogaritej në shërbimet shëndetsore e vetmja gjë për të cilën kujdesej familja ishte nëse barku i fëmijës është plot, nëse fëmija është i djersitur dhe nëse e bën gjumin. Në raste të shqetësimeve të paraqitura në shumicën e rasteve kanë kontaktuar hoxhën e fshatit apo të qytetit ose ndonjë plakë që thuhej se fryma e saj të bënte “derman”.

Nuk duhet  hezituar të marrim një mbështetje të ekspertëve nëse e vërejmë që diçka nuk po funksionon me fëmijën tonë. Çfarë lloj çrregullimesh  psikologjike gjenden tek fëmijët? Autizmi, çrregullime të të nxënit, çrregullimi i leximit, deficiti i vëmendjes dhe hiperaktiviteti, çrregullimi i kontrollit të impulsit, çrregullime të sjelljes, frika nga shkolla, çrregullime të ngrënit, çrregullime ankthi, çrregullimet e të folurit etj.

Si është parë çrregullimi i ankthit tek fëmijët?

Ankthi është në të vërtetë një ndjenjë normale deri në momentin që nuk pengon veprimtarinë e fëmijës. Por kur ky ankth fillon të ndikojë në cilësinë e jetës së personit, atëherë mund të fillojmë të flasim për çrregullime të ankthit. Kur fëmija të bëjë një provë ose kur lexon poezi para shokëve të tij, është normale që një fëmijë të ndihet i entuziazmuar dhe i shqetësuar, por nëse fëmija ndihet i shqetësuar dhe në aktivitetet e tij të përditshme, nëse situatat i përjeton  me tmerre gjatë rrugës për në shkollë çdo mëngjes ose nëse shqetësimet e tij janë prezente gjatë shumicës së ditës, nëse marrëdhënia me njerëzit preket nga këto shqetësime, fëmija ka çrregullim ankthi.

Cilat janë llojet e çrregullimeve të ankthit?

Ka lloje të ndryshme ankthi, sepse fëmija juaj mund të preket nga forma të ndryshme të çrregullimit të ankthit. Le të themi se fëmija është i shqetësuar për çështje të shumta, të tilla si mësimet, shëndeti i prindërve, miqësia etj, atëherë ne flasim për një çrregullim të ankthi të përgjithësuar.

Një tjetër situatë është se fëmija është shumë i shqetësuar kur njerëzit kanë nevojë të bëjnë diçka në mjedisin e tyre.Këta fëmijë janë fëmijë jashtëzakonisht të turpshëm, ata mendojnë që do të duken budallenj, do të jenë qesharakë dhe njerëzit do të kenë mendime negative rreth tyre. Keto veprime, sjellje dhe pritje të tyre njihen si çrregullim të fobisë sociale.

Disa fëmijë kanë çrregullime obsesive. Fëmija është pothuajse i mbyllur në ciklin e mendimeve dhe sjelljeve të përsëritura. Për shkak se obsesioni krijon shqetësim dhe stres, personi çliron vetveten me ndonjë aktivitet. Këto janë, “detyrime”. Për të dhënë një shembull, për idenë e obsesionit të fëmijës, ai ka frikë se do të infektohet nga papastërtitë ose mikrobet nga një vend, ai është i detyruar të lajë duart vazhdimisht ose për të fshirë gjithçka me një fshirëse të lagur disa herë.

Çrregullimi i stresit post-traumatik është një çrregullim ankthi i vërejtur tek fëmijët pas aksidenteve, tërmeteve dhe ngacmimeve seksuale dhe të llojeve të tjera. Fëmija vazhdon të kujtojë ngjarjen dhe ta shohë atë në ëndërr, tek ata mund të vërehet mbyllja, zemërimi i lidhur me situata traumatike sepse e kanë veshtërsi t’i harrojnë ato.

A është e mundur që problemet e fëmijëve me çrregullim ankthi, të lidhen me problemet e zakonshme të gjumit?

Mund të shihen si një shprehje e çrregullimit të ankthit. Për shembull, mund të shohim që fëmija ynë ndonjëherë është i parehatshëm, duke qëndruar në errësirë ose duke fjetur vetëm në dhomën e tij dhe nganjëherë edhe me kokëfortësi i hedh poshtë disa kërkesa normale të prindërve. Ai dëshiron që prindërit e tij të flenë në shtratin e tij ose ju kërkon prindërve të presin derisa ai të flejë. Kjo situatë është shumë e vështirë për familjet që të aplikohet, nëse kjo zgjat shumë kohë.

Si mundet një prind të përballojë frikën e natës?

Ka edhe metoda që familjet mund t’i provojnë. Para së gjithash, kjo frikë e fëmijës nuk duhet të nënvlerësohet. Duhet ta merrni frikën e tij seriozisht dhe të bisedoni me të. P.sh. Mund ta pyesim: -po të shoh që ke vështirësi për të fjetur vetëm natën, çfarë të shqetëson. Dhe në këtë formë ne mund ta inkurajojmë atë që të na tregojë se nga çfarë ka frikë. Ndoshta ne mund të krijojmë një perceptim të ri për atë që ai ka frikë. Për shembull, fëmija juaj tha se kishte frikë se bisha do të ishte në dhomë, mund të flisni se ku ishte bisha dhe pastaj mund t’i kontrolloni këto vende së bashku, një llambë e vogël mund të futet në dhomë derisa fëmija të mësohet.

Si prindër, nuk duhet ta marrim si qesharake atë situatë të frikës, kështu që ne duhet të jemi atje për ta tejkaluar këtë frikë së bashku.

Çfarë gabimesh bëjnë prindërit kur edukojnë fëmijët e tyre?

Një nga gabimet më të mëdha të bëra nga nëna dhe babai është mos përpjekja  për të njohur fëmijën e tyre dhe i detyrojnë ata të gjejnë rrugë pët të bërë gjëra të tjera që nuk janë në fushën e interesit tyre. Për shembull, në vend që të shikojnë aftësitë e fëmijës dhe të kalojnë kohën e lirë me aktivitetin ku ata kanë interesimin e tyre, mundohen t’i bindin për një kurs mode sepse prindërit e moshatareve të tyre i çojnë në një aktivitet të kësaj natyre edhe pse kjo nuk i pëlqen fëmijës, por i pëlqen prindit.

Nuk duhet të harrojmë se fëmijët janë të ndryshëm nga njëri-tjetri, disa nga gjërat që janë të mira për fëmijën tonë dhe zhvillimin e tij, po ato gjëra mund ta bëjnë një fëmijë tjetër të ndjehet i papërshtatshëm dhe i pasuksesshëm. Prandaj, prindërit duhet të kalojnë kohë me fëmijët e tyre dhe të përpiqen që t’i njohin ata.

Një tjetër gabim i zakonshëm është se ne harrojmë që fëmijët janë modeletë rolit që luajnë prindërit e tyre. Për shembull, familja ankohet se fëmijët e tyre po shikojnë shumë televizor, por nuk e kuptojnë se duhet ta ndryshojnë sjelljen e vet për ta ndryshuar këtë.

Ju vjen keq që fëmijët e tyre nuk e lexojnë asnjë libër, por nuk shohin se në fakt kjo ndodh  sepse ata nuk i lexojnë vetë librat. Nëse duam që fëmija ynë të ndryshojë, ne duhet të fillojmë së pari me veten. Siç thotë L. Tolstoi “Ndryshimi i botës fillon nga vetja”.

( Autori është profesor i Psikologjisë në gjimnazin “Gjon Buzuku” të Prizrenit )

 

Asnjë koment

Comments are closed.