Prokuroria dhe policia në Prizren: 5 raste të ngacmimeve seksuale tri vitet e fundit
Drejtuesit e Prokurorisë Themelore dhe Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, kanë mbajtur një konferencë për medie pas protestës së mbajtur nga organizata “Femaktiv” që u mbajt ditën e diel kundër ngacmimeve seksuale.
Kryeprokurori i Prizrenit, Admir Shala, dhe numri një i policisë rajonale të Prizrenit, Nexhmi Krasniqi, në konferencën e thirrur për medie thanë se janë të befasuar me deklaratat e organizatoreve të protestës së ditës së diel, ku është thënë se në bazë të disa statistikave të nxjerra nga një hulumtim i bërë, është raportuar se 70% e grave nuk ndihen të sigurta në hapësira publike, ndërsa 76% prej tyre janë ngacmuar gjatë shfrytëzimit të këtyre hapësirave.
Ata thanë se Prokuroria dhe Policia kanë evidentuar vetëm 5 raste të ngacmimeve seksuale gjatë vitit 2016- 2018 dhe një gjë e tillë aspak nuk përkon me deklaratat e zyrtareve të Femaktiv. Ata thanë më tej se gjendja e sigurisë në Prizren është e qetë dhe stabile, dhe pretendimet e pjesëmarrësve të protestës të së dielës na kanë shqetësuar tejmase,
Kryeprokurori Shala, tha se do të kontaktoj përfaqësueset e grupit të grave dhe vajzave Femaktiv për të diskutuar rreth raportimeve të tyre të fundit por edhe qytetarë të tjerë, duke ofruar gatishmëri për bashkëpunim në parandalimin e kësaj dukurie, zbulimin e autorëve dhe mbizotërimin e sigurisë në Prizren.
Ndryshe, në organizim të grupit të grave dhe vajzave FEMaktiv, të dielën në Marash është mbajtur një protestë kundër ngacmimeve seksuale, e cila ka nxitur drejtuesit e Prokurorisë dhe Policisë që të mbajnë ditën e martë këtë konferencë për shtyp./tvprizreni