24-04-2024

Prokuroria pushon hetimet në një rast mes zyrtarëve të UPZ-së

Prokuroria Themelore e Prizrenit (PTH) ka mbyllur një rast ndaj Ramë Vatës, ish-Rektor i Universitetit Publik “Ukishin Hoti” të Prizrenit, pasi siç njoftohet nuk ka konstatuar ndonjë dyshim të bazuar se është kryer ndonjë vepër penale, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Dekani i Fakultetit Filologjik, Shkëlqim Millaku kishte paraqitur një kallëzim ndaj Vatajt.

Prej një viti, deri para një muaje, UPZ po bënte përpjekje për zgjedhjen e Rektorit të ri, pasi ish-Rektorit Vataj, i kishte kaluar mandati. Procesi i zgjedhjes së të parit të këtij institucioni është përcjellë me përçarje e anime.

Sipas burimeve policore, rasti ishte paraqitur si kërcënim, por përfaqësues të PTH-së në Prizren, pa dhënë hollësi të tjera kanë njoftuar se pjesë e hetimeve ishte edhe Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren.

Zyrtarja për media pranë PTH-së në Prizren, Fitore Mehmeti ka konfirmuar për portalin se në lidhje me rastin Prokurori ka autorizuar Policinë e Kosovës – Njësiti për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, për mbledhjen e të dhënave, informacioneve dhe fakteve të nevojshme lidhur me rastin në fjalë.

“Pas intervistimit të të dyshuarit, të dëshmitarit, si dhe pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore, Prokurori i rastit ka konstatuar se në rastin konkret nuk ka dyshim të bazuar se është kryer ndonjë vepër penale e cila ndiqet sipas detyrës zyrtare”, ka thënë për “Gazeta e Prizrenit” ajo.

Gazeta është interesuar për natyrën e rastit, por nuk ka marrë përgjigje.

Sipas Mehmetit, meqë Prokurori i rastit ka konstatuar se lënda është përfunduar  si e tillë vihet në regjistrin A/A (regjistri i lëndëve të mbyllura)./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.