Pse Berisha i quan “muhalife” akuzat se Nisma tenton të përfitojë shumicën e drejtorëve ?
Derisa drejtori komunal i Arsimit në Prizren, Skënder Susuri ka paralajmëruar se sot do të bëhet shpallja e drejtorëve të shkollave, shefi i tij partiak nga Nisma Socialdemokrate, Zafir Berisha, ka mohuar të ketë dijeni se kush ka konkurruar për drejtor nëpër shkolla, transmeton “gazetaeprizrenit.net”.
Nisma që udhëheq sektorin e arsimit është kritikuar se po tenton të imponoj sa më shumë drejtorë e zëvendësdrejtorë të shkollave, madje edhe sfiduar konkurrentë të Vetëvendosjes. Berisha, ndërkaq këto i ka quajtur si “muhalife” të kafeneve. “As që jem në dijeni për këto tema, dhe kush ka konkurruar e kush do të bëhet drejtor”, thuhet në përgjigjen e tij dërguar portalit “gazetaeprizrenit.net”.
Por, deklarimet e tilla të Berishës, nuk po i besojnë përfaqësues të Vetëvendosjes, që drejton qeverisjen lokale. Një zyrtar i lartë i këtij subjekti, që nuk preferoi t’i përmendet emri, tha se në VV kanë dijeni se disa drejtorë aktual të shkollave kanë treguar lojalitet, për të kaluar në Nisma, vetëm për ta vazhduar postin e drejtorit. “Ata sigurisht se kanë biseduar me njerëzit kryesor të Nismës. Bëhet fjalë për individë që nuk e zgjedhin partinë për ndonjë parim, por se shpresojnë që pavarësisht performancës së treguar, ky aderim do t’ua garantojë pozitën”, ka thënë ai.
E tërë kjo ka ndodhur, si pasojë e shtyrjes deri në limitin ligjor, të procesit të përzgjedhjes së drejtorëve, për të cilin autoritet e qeverisjes së re lokale, përfshirë edhe vet kryetarin Mytaher Haskuka, në fillim të konkursit kishin premtuar azhuritet dhe siç kishin thënë përzgjedhje të menaxherëve të dëshmuar.
Tashmë kur procesi ka hyrë në limitin kohor, që përcakton se rezultatet duhet shpallur më së largu 45 ditë nga dita e konkursit, e që drejtorit Susuri, i bie të jetë 22 qershori, paralajmërohet se në bashkëpunim me kryetarin, drejtorët do të shpallen gjatë ditës së enjte. Kështu ka deklaruar mbrëmë Susuri, në Televizionin “Besa”,
Shpallja e emrave të drejtorëve do të sqarojë shumë gjëra. Përveç se do të shihet se cili subjekt ka fituar në “kryqëzimin e përfolur të shpatave”, do të shihet nëse do të përzgjidhen ata që prej kohësh e kanë reklamuar vetën si “të fortët e partisë”, duke promovuar veten si drejtor, kur ende s’ishte mbyllur konkursi.
E pas kësaj ndërkaq pritet të nisë edhe një debat tjetër, që ka të bëjë me përmbushjen e njërit prej premtimeve kryesore të Haskukës gjatë fushatës, për siç kishte thënë depolitizimin e shkollave./gazetaeprizrenit.net/