03-10-2024

Pse duhej që politika ta varroste shkrimtarin e madh

Nga Kimete Berisha

Flamuri i kuq me atë shqiponjën…nuk ia mbulonte kokën e as këmbët shkrimtarit të shtrirë në arkmort.

Dukej sikur shqiponja e kishte mbërthyer në gjoks dhe edhe ajo kishte vdekur bashkë me shkrimtarin.

Arkmorti kishte ngjyrën që dukej sikur mjeshtrit i kishte tepruar…arkmort i vjetër, i përdorur dhe i lyer me llak.

Në Teatër ishte inskenuar hija e Nënë Terezës pa fytyrë, me kryqin që ende askujt nuk ia pushoi vuajtjet, sepse është vuajtja vet.

I shtrirë si personazh në skenë, Kadarenë e bënin të dukej si një dëshmor që e ka dhënë jetën për partinë socialiste.

Kryeministri ia zgjodhi varrin, kryeministri ia caktoi fenë, kryeministri e përvetësoi vdekjen e tij…
dhe kështu ndodh gjithmonë, sepse shqiptarët nuk shkruajnë amanete.

  • Pse duhet të duket patriot i mbuluar me flamur, shkrimtari?
  • Pse duhet të duket shqiptar, shqiptari?
  • Pse duhet të jetë i shenjtë shkrimtari?

Se mëkatarët janë të hidhëruar me shkrimtarin pse nuk ishte i shenjtë.

Ata nuk duan të jenë vetë të shenjtë, se zor, por duan që të tjerët të jenë të shenjtë për ta.

Ai nuk donte të ishte dëshmor..
Se s’do të mundte pastaj edhe të shkruante edhe të bëhej dëshmor i joti.

Bëhu ti dëshmor.
Pse po duron ti.
Nëse nuk mund t’i ‘varësh’ armiqtë me vargje të bukura, ‘digje veten zjarr’!

Ai nuk donte të ishte politikan, që ta qanin politikanët.
A la rast pa i përqeshur e pa i tallur politikanët që përzihen në art, dhe artistët që bëjnë art për artin dhe për politikanët.

…pse duhej që politika ta varroste shkrimtarin!
Shkrimtari i madh gjithmonë e ka varrosur politikën!!

Ai e donte veten aq shumë, prandaj e deshën dhe perenditë.
Ai nuk e dha jetën për askënd, as për dashuri, as për atdhe, as për askënd.
Ai e krijonte dashurinë për të
tjerët si shitësi i cigareve që vet cigaren nuk e pi.

Kur e lypte rreziku të pendohej dhe ta mohonte tregimin e vet – pendohej, e mohonte.
Sepse pendimi është fjalë goje, punë e madhe që e mohon një vjershë, e shkruan tjetrën, s’të humb burrëria me diktatorë, mund të pendohesh e të ripendohesh sa të ketë nevojë, ndërsa jeta ndodh vetëm një herë.
Për të mbetur gjatë gjallë duhet të dish të luash!

Ai ishte i mençur dhe nuk e rrezikonte jetën për Ty.

Kur kalonte rreziku – përsëri e rindërtonte tregimin dhe lirinë e tij.
Punë për të.

Dukej arrogant sepse ishte i mençur. Meçuria e përbuzë budallallëkun.
Pa dashje.
Sidomos leximi, ltë
bën mosdurues, paragjykues dhe nënçmues ndaj të paditurve.

Njeriu i mençur e bën ujkun – dajë, e nuk hyn në gojë të ujkut.

Sepse ishte i mençur.
Ai nuk e dha jetën për lirinë tënde…
jepe ti jetën tënde për
lirinë tënde nëse s’të rrihet pa liri, ose krijoje lirinë tënde si ai që e krijoi lirinë e vet, ose mbylle gojën.

Njeriu i mençur nuk ndjen por mendon, prandaj është zor të
jesh njeri i mirë kur je i mençur, sepse e di se krejt njerëzit, gati të gjithë, janë njerëz të
këqij, për të cilët nuk ia vlen ta nxjerrësh me rrënjë as një qime floku.

Pse duhet të jetë shkrimtari njeri i pagabuar?
Ai nuk ka thënë se e kishte për qëllim
të ishte i shenjtë.

Shenjtëria nuk është
profesion…
dhe zakonisht i quajnë të
shenjtë ata që nuk dashurohen për
hir të Jezusit, i cili për vete ka dashuruar dhe as nuk i ka kërkuar njeriu që të mos dashurojnë hatri i tij…
sepse, ai vet ishte dashuria…

Paramendoje Jezusin e gëzuar duke të të parë ty nga qielli se si ti nuk dashurohesh hatri i tij!

I pari kuptim sipas Biblës është dashuria, të cilët shenjtorët e përjashtojnë nga jeta e tyre.

Unë i shikova.
Askujt nuk i kishte hije mërzia. Dhimbja e tyre ishte e hekurosur, pa një trohë vuajtje të vjetër.

…shkrimtari nganjëherë është si vajtori që qan për njerëz të gabuar, sepse e kërkon vajtimi, qan edhe me porosi…ose shkruan këngë të bukura, me porosi.
Si këngëtari që e ka obligim të këndoj….!

Janë disa lot që dalin nga një sebep por pastaj rrjedhin faqeve për një mallëngjim tjetër.
Si kur shkon në të pame dhe e shfrytëzon rastin e qan për veten.
Sikur të pëlqen dikush në shikim të
parë sepse i ngjan dikujt që të ka pëlqyer dikur!

Dhe, ky nuk dukej funeral shtetëror por qeveritar.
Dukej gjithçka çfarë ka përbuzur shkrimtari.
E sikur është fat që në jetë të të ndodh gjithçka që e ke mërzi.
Mërzia sikur të paralajmëron për fatin që do të të ndodh.

Shkrimtarët mediokër, që janë papërjashtim të
gjithë, kanë kërkuar vetëm gabimet e tij të jetës së përditshme, që ta demitizojnë. Anipse nuk ishte mit jeta e tij private, por letërsia e tij.
Askush nuk ka dashur të jetë njeri si ai, por shkrimtar si ai.

E njeh ti një njeri që do të doje të ishe në vend të tij?

Pse duhej të ishte i shenjtë shkrimtari!
Të ishte i shenjtë, s’do të ishte shkrimtar, do të ishte i qetë në lutjet e tij e s’do t’i qante shpirti për të gjetur fjalën më të
bukur në botë që me të ta shkruante melankolinë e tij.

Dhe, nuk e gjen kurrë, sepse qetësi nuk ka.
Ose ka: veç atëherë kur nuk e lyp më qetësinë, qetësohesh!

Shkrimi është si protestë e mërzisë…e njeriut që i duket se s’ka me kë ta ndajë mërzinë.
Kush ka pasur me kë ta ndajë mërzinë, kurrë nuk ka shkruar bukur.

Edhe profetin Muhamed e detyroi Zoti në Librin e Shenjtë të thotë: ‘Unë jam vetëm një njeri, si të
gjithë ju’, pra nuk jam i pagabuar.

Nuk ka njerëz të pagabuar.
Mund të jesh i pagabuar por vetëm nëse s’ke punë me njerëz.

Nuk të lënë të jesh i pagabuar.
Se ai i katit përmbi, të hedh ujë mbi teshat që i ke lënë në ballkon të t’i thajë
era.

T’i përmbysin saksitë me lule.
E ndërtojnë shtëpinë e tyre tek dritarja jote.
Të frikësojnë….i bien ziles e fshihen…
pasi ta lënë një porosi te pragu!

  • S’të lënë të jesh njeri i mirë.

Do të kishte pasur njerëz të
pagabuar, veç një po të ekzistonte.
Se, as nuk do të vëreheshe që je i pagabuar në mesin e krejt njerëzve që janë të gabuar.

Ai nuk tha kurrë që ishte i shenjtë.

Shqiptarët e kërkojnë Zotin tek njeriu, sepse Zoti nuk u njafton.
Duhet të jesh i përsosur për të ta pranuar se ti je dikushi, ose duhet të vdesësh për ta.
Diçka duhet të flijohesh…nëse do të
thonë për ty se je njeri i mirë.

Edhe i gjallë edhe hero – nuk ta pranojnë.

Por është një rrugë që të
nxjerr nga kjo mërzi.
Nuk mërzitesh se çfarë thonë e çfarë mendojnë për ty.
Dhe, që është kryesorja, nuk ke aspak nevojë të të duan.

Kush ka me t’dashtë ty?
dashuria e tyre është e cekët, si mendja e tyre.
Si mund të jetë e thellë dashuria e njeriut të
cekët.
Si mund të jetë madhështore dashuria e shkrimtarit mediokër!

Edhe urrejtja e Kadarese ishte më e bukur se dashuria e tyre supreme.
Sepse, dija e udhëheq dashurinë dhe urrejtjen, nuk udhëhiqet nga to.
Dhe, dija nuk e lë zemrën të duket budallaqe siç është.

Dhe kështu, në fund nuk fiton dashuria, por mençuria, anipse Libri i Shenjtë dashurinë e ka vendosur të parën.
Dashuria mbetet veç një premtim i Librave të Shenjtë dhe shpikja më e madhe e letërsisë.

Asnjë koment

Comments are closed.