03-12-2024

Rahovec: Shtyhet gjykimi për pengim të policit në detyrë pasi mungon i akuzuari A. Gashi

Mungesa e të akuzuarit  Abedin Gashi, ka bërë që të dështojë seanca e paraparë për të premten në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, për veprën penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”.

Gjykatësi Ilir Rashkaj, tha se për të akuzuarin ka dërguar ftesë të rregullt, por ai nuk i është përgjigjur asaj.

Në mungesë të tij, gjykatësi Rashkaj, për të siguruar praninë për seancën e radhës tha se do të lëshojë urdhëresë.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Gjakovë të ngritur me 10 tetor 2014, Abedin Gashi akuzohet se me 27 tetor 2013, rreth orës 21:35, në aksidentin që kishte ndodhur në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit ku edhe vet ishte pjesëmarrës në automjetin pronë e Marem Gashit, e nën ndikimin e alkoolit kishte penguar personin zyrtar, policin Afrim Cena në kryerjen e detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që personi zyrtar shkon ta shikojë vendin e ngjarjes, ku i akuzuari e fyen dhe e tërheq atë, e më pas me tone të larta i drejtohet të dëmtuarit Cena: “se unë të tregoj çka duhet me bo ti, e njoh ligjin ma mirë se ti dhe se ju jeni më të këqij se policët serb, e vendshiqimin duhet me ba si ju them unë”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, neni 409 paragrafi 5 të KPRK-së.

Asnjë koment

Comments are closed.