27-07-2024

Instilacion kundër trafikimit në qendrën e Prizrenit

Një instilacion në formë pakete është vendosur sot në mes të qendrës së Prizrenit, në “Shadërvan”, ndërsa sipas zyrtarëve  ka edhe një mesazh, që tregon se fatkeqësisht njeriu trajtohet si produkt që mund të shitet, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, që ka marrë pjesë në vendosjen e instilacionit, ka vlerësuar se trafikimi i qenieve njerëzore është një dukuri negative e nivelit global, i cili është i përhapur fatkeqësisht edhe në vendin tonë.

“Bashkëpunimi i mirë me institucionet dhe me organizatat që merren me këto çështje është parakusht për luftimin e kësaj dukurie negative dhe pikërisht me anë të aktivitetit të sotëm, u bëmë bashkë me zëvendësministren e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, znj. Rovena Voda, Zëvendësministrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Abduselami Shkodra dhe përfaqësuesen e organizatës “Terre des hommes, znj. Alketa Lasku”, për parandalimin e trafikimit dhe vetëdijesimin e shoqërisë sonë ndaj këtij problemi”, ka shkruar ai.

Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz (DHTQNj), në kuadër të Ditës Evropiane Kundër Trafikimit me Njerëz, një ditë më parë ka filluar fushatën njëmujore kundër trafikimit me njerëz. Në Prizren ekziston njësiti për trafikim me qenie njerëzore, që vepron në kuadër te Departamentit përkatës në Prishtinë.

Kryetari prizrenas ka thënë se të gjithë së bashku duhet të punojmë sa më shumë që ta rrisim vetëdijesimin e shoqërisë sa i përket çështjeve të trafikimit dhe të ofrojmë mbështetje institucionale. Në këtë drejtim, është shumë e rëndësishme që të bëhet identifikimi i viktimave dhe të raportohen rastet në institucionet përkatëse./GazetaePrizrenit.net

Fotografia e Mytaher Haskuka

 

Asnjë koment

Comments are closed.