20-06-2024

Reagon PDK: Haskuka lavdërohet për ta zhvendosë vëmendjen nga papastërtia në Prizren

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), në Prizren,  ka reaguar ndaj një lavdërimi të kryetarit të Komunës, Mytaher Haskuka, duke thënë se e tërë kjo po bëhet për të zhvendosur vëmendjen nga mosrealizimi i shumë premtimeve dhe dështimi në mirëmbajtjen e qytetit.

Në ditë më parë Haskuka ishte lavdëruar, për siç kishte thënë rregullimin e dokumentacionit në arkiv.

Në vazhdim komunikata e plotë e PDK-së.

“Partia Demokratike e Kosovës dega në Prizren reagon ndaj Kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, duke dashur të tërheq vëmendjen nga papastërtia që e ka kapluar Prizrenin, gjoja paska gjetur një shkak për t’u krenuar.

Ai këtë e paska bërë me renditjen e dokumentacionit në arkivën e Komunës, ndërsa gati dy vjet në pushtet vazhdon ta fajësojë ish-pushtetin e PDK-së, duke harruar se punëtorët e arkivit janë punëtorë të komunës.

“Na vjen çudi se si edhe në këtë rast Haskuka nuk e ka fajësuar edhe OSHP-në”. Në mungesë të sukseseve dhe Parajsës së paralajmëruar sa ishte në opozitë, e që zhgënjeu aq shumë pritshmërinë qytetare kur erdhi në pushtet, Haskuka tashmë zgjedh të lavdërohet me palosjen e dokumenteve.

Pra, tashmë në këtë vapë, kur qytetari me padurim pret ndonjë lajm për fillimin e larjes së rrugëve pas gjashtë muajsh, pastaj të pastrimit të rrugëve e shesheve të qytetit, që po bëhet gaz i botës në sytë e ndërkombëtarëve për mungesën e higjienës, derisa Prizreni vlon me turistë edhe për shkak të Dokufestit, kryetari Haskuka ja se me çfarë krenohet.

Ai e bënë këtë, në vend se tashmë të jetë transparent e të krenohet se po përzgjedh mësimdhënësit më të mirë për shkollat, e jo duke u’a imponuar atyre militantët partiak, për t’i punësuar me çdo kusht, pavarësisht nevojave të shkollave.

Haskuka po ashtu e bënë këtë në vend se të na tregojë se e ka shkarkuar drejtorin me aktakuzë të Financave dhe drejtorët tjerë që madje i ka të dënuar edhe me nga dy herë, ndërsa kishte premtuar se gjatë qeverisjes së tij këtë nuk do të lejonte raste të tilla.

Konsiderojmë se sulmet ndaj opozitës, që bëhen sa herë zihet ngusht kryetari i Prizrenit, kanë për qëllim zhvendosjen sadopak të vëmendjes nga dështimet e tij, duke përdorë taktikën “Sulmi, mbrojta më e mirë”, të cilën tashmë e kanë kuptuar prizrenasit”. /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.