Regjistrimi në shkollat e mesme të Prizrenit, a do të respektohet kriteri 24 nxënës për klasë?
Në Prizren është hapur afati i parë i konkursit për regjistrimin e nxënësve në klasat e dhjeta, ndërsa sipas shpalljes parashihet që një paralele të ketë 24 nxënës, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Referuar të dhënave nga Drejtoria e Arsimit në Prizren, afati i paraqitjes së dokumenteve dhe shpallja e rezultateve për gjimnaze dhe shkolla profesionale për vitin shkollor 2018/2019, bëhet deri më 26 qershor 2018 në lokalet e shkollës amë, ku nxënësi dëshiron të regjistrohet duke filluar nga ora 8.00-16.00.
Rezultatet për pranimin e nxënësve shpallen në shkollat përkatëse me datën 28.6.2018.
Në ditën e parë, një interesim ka pasur për regjistrim në gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren, ku sipas drejtuesve të shkollës, janë pranuar dokumentet e rreth 170 nxënësve, por në këtë rast bëhet fjalë vetëm për ata që kanë plotësuar kriteret.
Sivjet në këtë shkollë parashihet, që në gjuhën shqipe të hapen 13 paralele. Referuar të dhënave del se numri i përgjithshëm i nxënësve që do të pranohen është 312 sosh.
Një numër tjetër ndërkaq parashihet të regjistrohet në paralelet e kësaj shkolle në Ramajë, Gjonaj e Reçan, si dhe në klasat me mësim në gjuhën turke e boshnjake.
Ndër kriteret që duhet t’i plotësojë një nxënës për regjistrim në klasën e 10-janë suksesi nga shkollimi i obliguar (25 %) 25 pikë, suksesi nga lëndët prioritare në test (15 %) 15 pikë dhe numri i pikëve nga testi (60%) 60 pikë.
Për regjistrimin e nxënësve në klasën e 10-të, të gjimnazeve dhe të shkollave profesionale, për vitin shkollor 2019/20, mund të konkurrojnë kandidatët, të cilët e kanë mbaruar arsimin e obligueshëm dhe nuk janë më të vjetër se 17 vjeç.
Nxënësit, të cilët e kanë mbaruar klasën e 9- të jashtë Kosovës, obligohen ta bëjnë nostrifikimin e dëftesave në MASHT dhe pastaj të konkurrojnë për regjistrim.
Mbetet të shihet nëse do të respektohet kriteri i shpallur prej 24 nxënësish për një klasë, nëpër disa shkolla në të cilat ka më tepër interesim, meqenëse edhe vitin e kaluar fillimisht ishte shpallur një konkurs me kriter të tillë, por më pas numri i nxënësve kishte arritur në 32 sosh brenda një klase.
Disa mësimdhënës rritjen e numrit të nxënësve në disa shkolla e shohin si të mirëseardhur, kur dihet se numri i fëmijëve është në rënie, ndërsa disa të tjerë rekomandojnë, që nuk duhet lejuar që në dy-tri shkolla, si Mjekësia e Gjimnazi të ketë përqendrim të numrit të nxënësve, por që ai të varësisht nga suksesi të shpërndahet edhe në shkollat tjera të komunës./GazetaePrizrenit.net/