Rrënimi i terrasës në lokalin e familjes së Bujar Hasanit, flet Komuna e Prizrenit
“Objekti në fjalë është ndërtim pa leje, për sa i përket pretendimeve të pronarit që prona nuk është publike, atëherë si është e mundur që i njëjti paguan taksa për sezonën verore për shfrytëzim të hapësirës, e i referohet si pronë private”, ka thënë Thaçi për KALLXO.com.
Ai ka sqaruar se Drejtoria e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit ju ka dërguar njoftimet të gjithë pronarëve të lokaleve që t`i largojnë vullnetarisht terrasat që janë ngritur në hapësirat publike.
“Ju kemi dërguar njoftim të gjitha lokaleve që ti largojnë këto objekte pa leje në qendrën historike. Kanë pasur afat që deri me datë 8 janar t
i largojnë vullnetarisht, ndërsa tash kemi ndërmarrë aksion inspektorati për largimin e objekteve ne fjalë. Pra kemi të bëjmë me konstruksion të metalit, i përkohshëm por që është objekt pa leje”, ka thënë ai.
Sipas drejtorit Thaçi, largimi i objektit nuk ka të bëjë asgjë me atë që Bujar Hasani ka qenë ish drejtor, por ka rastisur që aksioni të fillojë nga rruga ‘Adem Jashari’ e të vazhdoj tutje nëpër hapësira tjera të qytetit.
“Ky është një aksion i Komunës që do të vazhdojë edhe ndaj 24 bizneseve tjera që kanë bërë ndërtime të tilla pa leje, dhe kanë prishur konstruktin e qendrës historike. Rrënimi i objektit pa leje është çështje administrative e Komunës, nuk ka të bëjë me rastin që është zhvilluar në Gjykatën Themlore- Prizren, sepse i njëjti është gjykuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare sa ka qenë drejtor”, ka thënë ai.
Sipas tij, aksioni do të vazhdojë edhe në qendrën e qytetit në ‘Shatërvan’ ndaj të gjitha ndërtimeve të ngjashme dhe tutje në sheshin e “Lidhjes së Prizrenit”.
Ish-drejtori i Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, Bujar Hasani, tha për KALLXO.com se vendimi i komunës për t`ia rrënuar terrasat e lokalit të familjes së tij është marrë nga inspektori Enver Bytyqi, i cili sipas tij kishte qenë i bashkakuzuar për të njëjtën terrasë. I njëjti sipas Hasanit kishte deklaruar në gjykatë se terrasa ishte e ndërtuar sipas ligjit.
“Inspektorati ka marrë vendim për largimin e kësaj hapësire. I njëjti inspektor që ka qenë i bashkakuzuar me mua. Enver Bytyqi, i cili gjatë gjykimit kishte deklaruar që ky ndërtim është në përputhje me ligjet në fuqi, dhe se prona ku është ngritur objekti nuk është pronë publike, e tash ka marrë vendim për rrënim”, ka thënë Hasani.
“Unë kam bërë padi në Gjykatën për çështje administrative, sepse e kam të drejtën e ankesës ndaj vendimit për rrënim, por inspektorati nuk ka pritur një vendim të gjykatës, kanë vepruar një-anshëm dhe me nguti. Unë do t`i ndjekë rrugët ligjore për këtë çështje”, ka thënë Hasani për KALLXO.com.