23-11-2024

Rusia pranon kërkesë për një miliard vaksina kundër COVID-19

Vaksina ruse kundër koronavirusit po vazhdohet të shihet me dyshime nga shtetet e zhvilluara evropiane dhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për shkak të zhvillimit të shpejtë të saj.

Mirëpo, vetëm një ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin, njoftoi se vaksina e emërtuar “Sputnik V” u regjistrua dhe së shpejti do të fillojë të prodhohet në masë, në adresë të kompanisë prodhuese kanë ardhur porosi nga 20 shtete me kërkesë që të sigurohen një miliard doza, ka njoftuar “Russia Today” të mërkurën.

Sipas këtij mediumi rus, vaksinën e kanë porositur shtete të Amerikës së Jugut, Lindjes së Afërt dhe Azisë.

Kryesuesi i Fondit për Investime Direkte, i cili edhe ka financuar zhvillimin e kësaj vaksine, Kiril Dmitriev, ka thënë se kapaciteti vjetor është shumë më i vogël se porosia e pranuar.

“Së bashku me partnerët jashtë vendit jemi të gatshëm të prodhojmë gjysmë miliardi vaksina në vit”, ka thënë ai.

Vaksinat për shfrytëzim të brendshëm do të prodhohen vetëm në Rusi, kurse ato për shitje do të prodhohen në shtete tjera.

“Njerëzit në mbarë botën duhet të kenë qasje të njëjtë në vaksinë, pavarësisht situatës së tyre financiare”, ka thënë Dmitriev.

Ai më herët tha për CNN se vaksina është e sigurt, efikase dhe se ai, bashkëshortja dhe familjarët tjerë e kanë marrë atë gjatë fazës finale të testimit.

Të martën, kur Rusia njoftoi për regjistrimin e kësaj vaksine, duke u bërë shteti i parë me një tillë kundër COVID-19, presidenti Putin tha se atë e ka marrë edhe vajza e tij.

Asnjë koment

Comments are closed.