23-04-2024

SBASHK-u thirrje kryetarëve të komunave: Mos bëni presion për ndërprerje të grevës

SBASHK-u, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se pavarësisht presioneve të shumta në disa komuna, greva është mbajtur.

“Edhe përkundër presioneve të mëdha në disa komuna, e sidomos presion i madh që është duke u bërë në komunën e Deçanit, edhe dita e shtatë e grevës së punonjësve arsimor është mbajtur në të gjitha komunat në përjashtim të shkollës “Heronjët e Dukagjinit “ në Gllogjan, e cila numëron 15 anëtarë, edhe në shkollën “Dëshmoret e Vokshit” në fshatin Pobërgj një mësimdhënëse ka tentuar të mbaj orën e parë, e cila pastaj iu ka bashkangjitur grevës në komunën e Deçanit”, thuhet në komunikatë.

Gjatë ditës së sotme kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj me bashkëpunëtor vizitoi grevistët në komunën e Pejës, dhe pasdite do ta viziton edhe Këshillin Grevist në Deçan për të biseduar nga afër me ta për gjendjen në këtë komunë.

“Vizita grevistëve iu bënë edhe në Prishtinë nga anëtarët tjerë të Këshillit Qendror Grevist në çerdhen “Xixëllonjat” në Prishtinë, ku biseduan për ofertën e ofruar nga qeveria si dhe vendimin që ka marrë Këshilli Drejtues i SBASHK-ut në takimin e djeshëm.

Njëherit kërkojmë nga ata, që para se ti ftojnë Këshillin Grevist në biseda “informative” ti lexojnë ligjet mbi organizimin sindikal, ligjin e grevës dhe statutin e SBASHK-ut dhe nga ato mund të marrin informata të sakta, se greva është e shpallur në nivel vendi dhe këtë të drejt të shpalljes së grevës e ka pas Këshilli Drejtues i SBASHK-ut, i cili është i vetmi organ legjitim që mund ta përfundon grevën ne rast se janë plotësuar kërkesat.

Të nderuar kryetarë të komunave, anëtarët e këshillave greviste nëpër komunat tuaja janë punonjës tuaj, por janë edhe përfaqësues të punëtorëve të cilët i kanë zgjedh në mënyrë legjitime, ata kanë një udhëheqës sindikal ne nivel vendi, i cili iu jep udhëzime si të veprohet gjatë grevës, sikurse edhe ju që po merrni udhëzime nga ”shefat” e juaj për ta thyer grevën dhe po kërkoni nga këshillat greviste që të bëhen të padëgjueshme ndaj zërit të udhëheqësit të tyre dhe zërit të anëtarësisë së tyre, vetëm e vetëm që ju të përmbushni detyrën që ju ka dhënë “shefi “ i juaj.

Edhe njëherë ju ftojmë, që në vend të presioneve të ushtroni ndikimin e juaj te organet qendrore që të plotësohen kërkesat e mësimdhënësve të komunave tuaja, sepse edhe thyerja eventuale e grevës në ndonjë institucion të komunës suaj, jemi të sigurt së nuk do të kontribuon në mbarëvajtje të procesit mësimor, por do të jetë vetëm një lajm mediatik sa për të thënë: ,, se ja një shkollë apo një komunë filloj punën” , por në ato mjedise nuk do të ketë mësim të mirëfilltë.

Në vend të detyrimeve për të filluar procesi mësimor zgjidheni dialogun, i cili dialog është duke u zhvilluar në nivel qendror. /Telegrafi/

Asnjë koment

Comments are closed.